2008-07-12 18:07:09

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Klaudio Monteverdi, autor i veprave mahnitëse të muzikës kishtare".


(12.07.2008 RV)“Si mund ta shpreh me tinguj muzikorë zemrimin e Tankredit?”, mërmërit me vete Klaudio Monteverdi.
Monteverdi po kompozon një madrigal, dmth një poemë të kënduar, në të cilën tregohet historia e kalorësit Tankredi, që niset për në kryqëzatë. Në fushën e betejës i del përballë një luftëtare e bukur myslimane, Klorinda e dy armiqtë bëhen miq, të ngushtë madje: dashurohen. Bëjnë çmos t’i largohen njëri-tjetrit, duke e ditur mirë se një dashuri e tillë, kaq e ëmbël, mund të sjellë pas veç hidhërim. Por një ditë, në sa tërbohet një nga betejat më gjakatare, Klorinda e mbulon fytyrën me maskë. Tankredi nuk e njeh dhe e plagos rëndë. Para se të vdesë në krahët e kalorësit të saj, Klorinda shpreh dëshirën të marrë Pagëzimin.
Kemi të bëjmë, pra, me një histori të trishtuar e të pasionuar, që përshkohet nga ndjenja tepër të trazuara. Si mund të shprehen me nota? Monteverdi ndjen një zbraztësi të çuditshme. Është pa fjalë, pa nota, pa tinguj. E pra tashmë njihet si kompozitor, ndonse i duhet ca kohë për t’u bërë edhe i famshëm. Kur ishte fare i ri, punoi për dukën e Mantovës, një maskara injorant, që e shfrytëzonte talentin e tij, pa e paguar. Atëherë iu desh të ikte. Trokiti në portën e oborrit papnor, por porta nuk iu hap. Papa s’deshi ta dinte kush po i trokiste. Pas gjithë këtyre dështimeve, më në fund dozhët e Venedikut ia njohën talentin e i dhanë vendin që meritonte. U bë një lloj ‘kryemuzikanti’ i Venedikut. Ja pse këtë mëngjes është ulur në shkritore, në dhomën e një pallati venecian, i zhytur në historinë e Tankredit e të Klorindës, që dëshiron ta luajë me rastin e karnavaleve të viti 1624. Edhe disa orë pune e pastaj…. Ja edhe çasti i pulitjes krijuese. Monteverdi frymëzohet e nota e fjalë rrjedhin si lumë mbi letër, pastaj fshin, rilexon, fshin rishtas e më në fund, qesh. Sapo ka shpikur tremolon, një zbukurim muzikor që e ndan një notë, të quajtur gjysëm e shkurtër, në gjashtëmbëdhjetë pjesë shumë të vogla, të quajtura semikrome. Për të bashkuar gjashtëmbëdhjetë semikromet, instrumenti muzikor duhet të tingëllojë me shpejtësinë e dritës, si zë që dridhet nga emocioni.
Monteverdi nxiton ta vërë në praktikë shpikjen e tij. E mbush plot me nota të dridhshme historinë e Tankredit e të Klorindës. Venecianët do të dëgjojnë së shpejti një madrigal të ndezur nga zemrimi e nga emocionet. Por zemrimi fashitet në mbarim të historisë, kur Klorinda sheh si hapet qielli për ta pritur. Më në fund do të gjej paqen e dëshiruar në zemër të Zotit.Me shpikjen e re, Monteverdi mbetet i pavdekshëm ndërmjet muzikantëve të mëdhenj. Pa harruar se është autor i veprave mahnitëse të muzikës kishtare, siç është Mesha me katër zëra dhe Mbrëmësoret e së Lumes Virgjër Mari.







All the contents on this site are copyrighted ©.