2008-07-10 18:58:29

Spitali pediatrik i Vatikanit "Bambin Gesù" përcakton modelin e bashkëpunimit me pesë kontinente


(10.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Një repart i madh sa pesë kontinente”: ky është titulli i një konference, që po mbahet në Spitalin Pediatrik të Vatikanit “Bambin Gesù”, i mirënjohur edhe në Shqipëri për ndihmën që u ka dhënë sa e sa fëmijëve. Madje ekziston edhe një marrëveshje dypalëshe, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, për kurimin e fëmijëve dhe formimin e personelit mjekësor, pikërisht përmes kësaj strukture të shkëlqyer. Por jo vetëm Shqipëria ka përfituar nga misioni që i ka vënë vetes mjekët e njërit prej spitaleve më të mirë pediatrikë të botës. Në fakt, janë 40 vendet, ku mijëra fëmijë janë kuruar në sajë të profesionalitetit të personelit të “Bambin Gesù”. Kuvendi i Romës do të vendosë një bazë, një model misionesh jashtë Vatikanit, në mënyrë që vërtet spitali t’i shtrijë krahët në pesë kontinentet. Për mjekët do të konsiderohet “normale” të punojnë në Romë, apo për një periudhë kohe, në Kamboxha e diku tjetër.
Vetëm në vitin 2007, misionet ndërkombëtare të Spitalit kanë përfshirë territore si Amerika Qendrore dhe Jugore e vendet e Mesdheut, siç shpjegon në mikrofonin tonë dr. Xhuzepe De Simone, koordinator i misioneve humanitare të “Bambin Gesù”:
Aktiviteti i Spitalit “Bambin Gesù” projektohej më tepër në zonën mesdhetare. Pastaj, dalëngadalë, rritja e këtij aktiviteti e bëri spitalin të njohur për rezultatet e tij të shkëlqyera e natyrisht, u projektuam në tërë botën: në Afrikë, në Azinë Juglindore dhe në shumë vende të tjera.
Cili është aktiviteti formues që bëni për personelin mjekësor të vendeve të tjera?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse edhe këtu bota është e ndarë në dy pjesë. Ka vende jashtëzakonisht të varfëra, në të cilat edhe fjala varfëri nuk ka asnjë kuptim, pasi nuk kanë asgjë. Ndërsa vende të tjera në zhvillim kanë teknologji, por nuk mund t’i përdorin, pasi u mungojnë kompetencat profesionale. Prandaj, nga njëra anë bëjmë të themi, një aktivitet asistence, nga ana tjetër formojmë personelin në ato vende ku ekziston teknologjia.








All the contents on this site are copyrighted ©.