Pas dy ditësh Benedikti XVI do të niset për në Australi. Në Sidnei arrijnë gjithnjë
më shumë të rinj. Intervista me ipeshkvin Filipo Santoro e Salvatore Martinez.
(10.07.2008 RV)Më pak se 48 orë
e ndajnë Benediktin XVI nga fillimi i shtegtimit apostolik, më i gjati i papnisë së
tij, që do ta çojë për dhjetë ditë në Australinë e largët. Siç dihet, Papa do të kalojë
disa ditë pushimi, para se të takohet me turmën e të rinjve e të rejave, që do ta
presin në gjirin e tyre, për të nisur Ditën e 23-të Botërore të Rinisë, Sidnei 2008.
Por mund të themi se tashmë në metropolin australian ka filluar të ndjehet gjithnjë
më shumë atmosfera e festës. Avionët e nisur nga të katër anët e botës, shkarkojnë
në trojet australiane gjithë ç’ka më të mirë njerëzimi: të rinjtë, që të bashkuar
në grupe, sipas kombeve prej nga vijnë, nuk e zgjasin shumë, por fillojnë menjëherë
veprimtaritë, pasi zënë vend në bazat mikpritëse australiane, përgatitur qëkur për
ta. Për të jetuar simbolikisht ca çaste pranë tyre, intervistuam të dërguarin e gazetës
‘Avenire’, Mimo Muolo, me telefon, nga Sidnei:
“Sidnei
merr ngjyrat e Ditës Botërore të Rinisë. Ngjyra zyrtare verdh e bardh e Vatikanit
shpaloset kudo e, që dje, përhapet në të katër anët nga grupet gjithnjë më të shumta
të të rinjve shtegtarë të cilët, me çantat dyngjyrëshe mbi shpinë, shëtisin nëpër
rrugët e qytetit, duke zgjuar kureshtjen e kalimtarëve. Edhe gazetat vendase, duke
lënë, mënjanë polemikat e kohëve të fundit mbi koston e ngjarjes e ato mbi shpërdorimet
seksuale të një prifti, i kushtojnë vëmendjen e duhur të rinjve, që po arrijnë nga
mbarë bota. Metropoli australian përgatitet, kështu, për të pritur Papën e nis një
sërë takimesh, fetare e kulturore, që i paraprijnë programit kryesor. Nesër në katedrale
do të arrijnë reliket e të Lumit Piergjorgjio Frasati; të shtunën puliezët e Sidneit
do të organizojnë një festë për nder të të rinjve italianë, që kanë arritur këtu.
E pastaj, duke nisur nga e diela, 30 takime të mëdha me pjesëmarrjen e bashkësive
kombëtare (maronite, amerikane, franceze, aziatike) e të grupeve, shoqatave e lëvizjeve,
si neokatekumenalët, miqtë e françeskanëve, grupet e përshpirtërisë injaciane, skalabrinianët
etj. etj. Pritet me padurim festa “Rroftë Agoràja”, organizuar nga shërbimi baritor
rinor i Konferencës ipeshkvnore italiane, që do të mbahet më 16 korrik. Por mund të
themi se asnjë herë DBR-ja nuk ka folur me kaq shumë gjuhë, ndërmjet të cilave nuk
mungon as shqipja, si po flet në Sidnei. Shumë gjuhë, për të shprehur një fe të vetme:
fenë në Krishtin!”.
DBR-ja, si mundësi e madhe që u krijohet të rinjve,
tingëllon edhe si përgjigje për pyetjet e tyre. Kështu e shikon kardinali i Sidneit,
Gjorgj Pel, në një intervistë dhënë agjensisë Fides. Hirësia e Tij shpreh besimin
se feja e të rinjve të mbarë botës do të përforcohet nga Dita e tyre botërore e se
ata do ta njohin më thellësisht Krishtin, si qendër të jetës së tyre. Një urim të
tillë bëri edhe imzot Filipo Santori, ipeshkëv i dioqezës braziliane të Petropolis,
pak para nisjes për në Australi, i rrethuar nga një turmë gazmore të rinjsh. Ta dëgjojmë,
në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Dioqeza ime e Petropolis,
që nuk është shumë e madhe, në krahasim me përmasat e Brazilit, do të përfaqësohet
nga 30 të rinj, që do të marrin pjesë së bashku me mua, në këtë ngjarje të gëzuar.
Po të kemi parasysh vështirësitë ekonomike e largësinë, duhet thënë se është një numër
i kënaqshëm. Ndërsa Brazili në përgjithësi, do të ketë një përfaqësi prej një mijë
të rinjsh, prandaj shpresojmë se ky takim i bukur, i madh, më pas do të ndikojë fuqimisht
mbi jetën e të gjithë të rinjve të Brazilit. E prandaj edhe jemi shumë të kënaqur
që po nisemi. Përveç shoqërimit të të rinjve, unë do të mbaj edhe një katekizëm, çast
ky përgatitor dialogu ndërmjet ipeshkvijve e të rinjve. Edhe takimi i Torontos e i
Këlnit patën çaste të tilla, gjatë të cilave ndjehet fuqimisht bukuria e Kishës, bukuria
e takimit me Papën, bukuria e bashkimit me Zotin…”.
Këngë
e valle para nisjes. Këtë pamje kishte sot aeroporti i Fiumiçinos, që gumëzhinte nga
grupet e të rinjve, ardhur nga gjithë Italia, të cilët niseshin njëri pas tjetrit
drejt Sidneit. Ndërmjet lëvizjeve, që do të përfaqësohen në DBR-në australiane, është
edhe ajo e Përtëritjes në Shpirtin Shenjt, me një grup prej 500 të rinjsh. Pyetëm
kryetarin e Lëvizjes, Salvatore Martinez, ç’i shtyn këta të rinj të marrin
një rrugë kaq të largët?
Përgjigje: - I shtyn e njëjta dëshirë
e përhershme, dëshira për t’u takuar në fe, sepse feja është takim, feja nuk njeh
kufij, feja është përvojë miqësie që të shtyn të shkosh deri atje, ku nuk kanë guxim
të shkojnë bindjet njerëzore, arsyetimet njerëzore. Të rinjtë e kanë këtë guxim shpirtëror,
që duhet rizbuluar vazhdimisht e edhe duhet lavdëruar, për t’i treguar botës mbarë
se edhe në kohën tonë kemi një rini të shëndetshme, që hap rrugë të reja për përtëritjen
e fesë. I shtyn, pra, kjo dëshirë, e kjo i bën mirë posaçërisht Evropës sonë, që duket
se po vijon të plaket, të humbasë dëshirën më të madhe, atë për t’u takuar me Zotin,
sepse krishtërimi, para së gjithash, është pikërisht takim me Zotin!
Pyetje:
- Në pritje të fillimit të mirëfilltë të DBR-së, ju në Brisbejn, keni organizuar
festivalin ‘Yai’. Ç’ mund të na thoni për të?
Përgjigje:
- ‘Yai’ janë inicialet e ‘Youth Arise International’. Mund ta përkthejmë
lirisht “Të rinj të të gjithë botës, bashkohuni!”. Mendoj se në kohën tonë ndjehet
fuqimisht nevoja për rikumtimin e arsyeve, që e shtyjnë njeriun të jetojë, arsye që
duhet të ushqejnë shpresat, arsye universale, të cilat burojnë nga feja jonë katolike.
Ky është kuptimi i Yai: dëshira për t’i mbledhur të rinjtë nga mbarë bota e, posaçërisht,
të rinjtë që vijnë nga vendet ku është e vështirë të praktikohet feja, vende ku të
krishterët persekutohen. Flas për Lindjen e Mesme, për Lindjen e largët. Yai synon
t’i përgatisë të rinjtë për ungjillëzim.
Pyetje:
- Ç’atmosferë ndjehet në Australi, në këtë kontinent ku është e dukshme
ndeshja e të kundërtave… ?
Përgjigje: -
Ka një tharm gufues. Miqtë tanë në qytetet kryesore po bëjnë një punë të lavdërueshme,
duke përfshirë në festën e madhe rinore shumë familje, të cilat po rizbulojnë dhuratën
e çmuar të mikpritjes. Po shikojnë në fytyrat e këtyre të rinjve, fytyrat e fëmijëve
të tyre, ashtu si do t’i dëshironin e si nuk nuk i kanë, sepse një pjesë e mirë e
tyre e kanë braktisur fenë, kanë humbur edhe gjuhën e traditat e vendeve prej nga
kanë ardhur familjet tyre. Mund të themi, me entuziazëm, se këto ditë po lidhen miqësi
të jashtëzakonshme.