2008-07-09 18:28:08

Shugurimi ipeshkvnor i grave në Kishën e Anglisë. Në mikrofonin tonë drejtori i Qendrës Anglikane të Romës.


(09.07.2008 RV)RealAudioMP3 Të hënën e kaluar, sinodi i Kishës së Anglisë bëri një hap tjetër përpara drejt shugurimit ipeshkvnor të grave. Votimi u bë pas gjashtë orësh debati të ashpër, në mbledhjen e mbajtur në qytetin verior të Jorkut. Megjithëse ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë, deklarata e Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve thekson se vendimi mund të ketë pasoja serioze në dialogun ekumenik. Të dëgjojmë shpjegimin e pastorit anglikan David Riçardson, drejtor i Qendrës anglikane të Romës, intervistuar nga radioja jonë:
Pa dyshim, deklarata është e rëndësishme, por në thelb i përgjigjet pyetjes se si do të ishin marrëdhëniet në rastin e shugurimit të grave-ipeshkëv. Votimi i Sinodit të hënën, nuk përfaqëson akoma një normë të re, nuk është diçka që krijon gra-ipeshkëv nga një ditë në tjetrën: jemi akoma shumë larg. Por, nga pikpamja e jehonës në shtypin ndërkombëtar, ky është një lloj momenti kyç.
Që prej dhjetë vjetësh tashmë në Angli ka gra-meshtare e në vende të tjera të botës, Kisha anglikane ka shuguruar edhe gra-ipeshkëv. Në Britaninë e Madhe, rezistenca ndaj kësaj ideje ka të bëjë vetëm me një pakicë të vogël, apo me një numër të madh besimtarësh?
Unë mendoj se megjithëse është fjala për një pakicë, ajo është e rëndësishme, e madhe në numër e natyrisht, shumë e apasionuar, pasi nuk është zvogëluar gjatë këtyre viteve të shugurimit të grave si meshtarë. Nga ana tjetër, jam i sigurtë, se sot në Angli, ekzistojnë shumë persona, që do të kishin votuar kundër shugurimit të grave, por pasi kanë punuar me to, kanë ndryshuar opinion. Ekzistojnë edhe persona, që natyrisht kanë mbetur në idenë e parë, për një sërë arësyesh. Ndër to, më interesantja, siç e mendoj unë e – imagjinoj – edhe në këndvështrimin e Selisë së Shenjtë, është ajo sipas të cilës, meqë Kisha e Anglisë është në një komponent të saj “katolike”, nuk do të kishte të drejtë ta merrte këtë vendim në mënyrë të njëanshme. Por, siç thashë, vendimi akoma nuk është marrë; është vendosur vetëm se duhet të ecim në atë rrugë përmes një debati, që ka shumë mundësi të zgjasë për dy-tri vitet e ardhshme.
Selia e Shenjtë, siç dihet, është përgjigjur duke pohuar se kjo do të ishte një pengesë tjetër në rrugën e pajtimit ndërmjet Kishës katolike dhe asaj të Anglisë. Sipas jush, ç’peshë mund të ketë në dialogun ekumenik një vendim i tillë?
Sigurisht që është një pengesë, por në të vërtetë është një pengesë për t’u përballuar. Bashkimi Anglikan ka punuar në dy drejtime: në frontin ekumenik, ka punuar intensivisht me Kishën katolike romake, në disa deklarata gjejmë pika të përbashkëta për çështje teologjike; nga ana tjetër, brenda Bashkësisë Anglikane në të gjithë botën, që prej kohësh ka shumë presione për shugurimin meshtarak e pastaj ipeshkvnor të grave. Është e rëndësishme tani, që Kisha anglikane të shqyrtojë mirë se ç’drejtim po merr teologjia e saj, më tepër sesa të hyjë në një dialog ekumenik, që nuk pasqyron vërtetësisht synimet e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.