Kisha e Keralasë së bashku me myslimanët e induistët, i kundërvihet një teksti shkollor,
që mbron komunizmin dhe ateizmin.
(09.07.2008 RV)Katolikët, myslimanët dhe hinduistët e shtetit indian të Keralasë
janë kundër një teksti për shkollat e mesme, botuar nga ministria e arsimit, që mbron
doktrinën komuniste e ateiste. Lajmi botohet në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore
Romano’, e cila nënvizon se të trija fetë kërkojnë tërheqjen e librit, ndërsa protestantët
e ortodoksët shprehin mendimin se akuza është pa bazë, mendim që mbështetet edhe
nga qeveria. Kryeipeshkvi i Verapolit dhe kryetar i ipeshkvijve të vendit, Imzot Daniel
Akaruparambil, thekson se Kisha nuk pranon kompromise lidhur me tekstin që, si çdo
tekst me përmbajtje marksiste, e sulmon hapur fenë. Edhe ipeshkvijtë e tjerë e kritikojnë
hapur tekstin, por disa prej tyre pohojnë se Kisha katolike nuk mund të mbajë qëndrim
lidhur me përdorimin ose mospërdorimin e teksteve shkollore publike. Në libër theksohet
se të trija fetë, që praktikohen në Indi, e ndajnë shoqërinë në kasta, duke thelluar
kështu përçarjen dhe pabarazinë shoqërore ndërmjet njerëzve. Nuk merret fare parasysh
tradita e lashtë e Kishës së Keralasë, që ka luftuar gjithnjë kundër pabarazisë shoqërore.
Ta pranosh librin, është një lloj si të thuash se prindërit nuk duhet të ndërhyjnë
fare në edukimin moral e arsimor të fëmijëve, madje nuk duhet të marrin asnjë vendim
për jetën e tyre, derisa të rriten e të mund të vendosin vetë për ardhmërinë. Sipas
Kishës katolike, e cila organizoi edhe një manifestim proteste, teksti nuk flet hapur
kundër fesë, në favor të komunizmit, por e përçon mesazhin e vet përmes anekdotave
e deklaratave të njerëzve të nderuar në Indi, gjë që në gjuhën popullore quhet: “Të
hedhësh gurin e të fshehësh dorën!”.