2008-07-07 19:05:50

Jehona e fjalëve të Papës Benedikti XVI në mbledhjen e G8-ës


(07.07.2008 RV)RealAudioMP3 Ditë përurimi për mbledhjen e të mëdhenjve të tokës në Japoni, karakterizuar nga manifestime no-global, nga polemika e përçarje ndërmjet vendeve anëtare të G8-ës. Në momentin kur duhen marrë në shqyrtim kriza ushqimore, rritja e çmimit të naftës, ndryshimet e klimës dhe mbështetja e ekonomive më të dobta, SHBA-të nuk lejojnë përfshirjen e ekonomive si ajo e Kinës apo e Indisë në mbledhje, pavarësisht nga dobia që kjo mund të sjellë për temat në diskutim. Në fakt, propozimi u bë nga presidenti francez Nikolas Sarkozì, por amerikanët dhe japonezët u shprehën kundër. Probleme edhe ndërmjet Rusisë e SHBA-ve, sërish për çështjen e mbrojtjes me raketa. Një notë pozitive: kryetari i Komisionit Evropian, Barroso propozoi të krijohet një fond ndihmash për bujqësinë prej 1 miliard eurosh, në favor të vendeve në zhvillim.
Jehonë të madhe ka pasur thirrja e djeshme e Atit të Shenjtë drejtuar të mëdhenjve të botës, që të mbajnë premtimet e të marrin masa për të luftuar varfërinë, urinë, sëmundjet dhe analfabetizmin, të cilat thellohen përditë e më tepër. Skenari aktual botëror është rezultat i krizave të njëpasnjëshme të viteve të fundit, siç shpjegon në mikrofonin tonë profesor Leonardo Beketi, pedagog i ekonomisë politike në Universitetin Tor Vergata të Romës dhe përgjegjës kombëtar i Bashkësive të Jetës së krishterë:
Ekziston një shumë e madhe parash për t’u investuar. Në të kaluarën, ky likuiditet drejtohej për nga titujt teknologjikë. Pastaj, erdhi kriza e marsit 2000 dhe investimet shkuan drejt tregut të pasurive të patundshme. Sot, edhe ky është në krizë. Në fazën e tretë, në të cilën ndodhemi, investimet shkojnë drejt naftës, drejt lëndëve të para bujqësore. Kjo është faza më e rëndë nga pikpamja shoqërore, sepse ndërsa titujt teknologjikë nuk ndikonin veçanërisht mbi më të varfërit, në këtë rast flasim për energji. Procesi ndikon mbi kostot e transportit e për rrjedhojë mbi gati të gjitha aktivitetet ekonomike. Rritet kështu çmimi i gjërave të nevojshme për të jetuar.
E duhet nënvizuar fakti, se rritja e çmimit të prodhimeve bujqësore nuk do të thotë aspak se bujqit jetojnë më mirë. Në të vërtetë, një pjesë e atyre që jetojnë nën pragun e varfërisë janë bujq. Rritja e çmimeve nuk i favorizon, pasi ata shesin lëndë të para me çmime shumë të ulta e nuk kanë fuqi të madhe për të vendosur çmimet me ndërmjetësuesit.
Një aspekt tjetër, që nënvizoi Papa, është ai i spekullimeve dhe i efektit të tyre mbi çmimet e ushqimeve dhe energjinë…
Sot në botë ekzistojnë 58 trilion euro, një shumë e barabartë me prodhimin e përgjithshëm botëror, pra një sasi parash e jashtëzakonshme. Problemi i vërtetë, që solli krizën e madhe financiare aktuale, është se në treg, askush nuk investon paratë e veta. Mungojnë norma të qarta e të përshtatshme për tregun. Për shembull, vlera e dollarit varet nga vendimet që marrin bankat qendrore amerikane dhe evropiane, të cilat në këtë moment nuk janë të koordinuara. Banka Qendrore Evropiane rrit përqindjet, ajo amerikane i ul. Kjo s’bën tjetër, veçse forcon euron e dobëson dollarin, me efekte negative mbi çmimin e naftës.
Ç’mund të pritet atëherë nga mbledhja e G8-ës që filloi sot në Japoni? Përgjigjet Paolo Beçegato, përgjegjës i departamentit ndërkombëtar të Karitasit Italian:
Papa vë theksin mbi disa çështje themelore: për shembull, që financa të mos jetë parësore në krahasim me njeriun. Një pikë e dytë shumë e rëndësishme, që u duhet kërkuar të mëdhenjve të botës, është t’i marrin me seriozitet të madh sfidat e të përdorin për zgjidhjen e problemeve më tepër burime nga ato që kanë përdorur deri tani. Duhet më tepër përgjegjësi ndërkombëtare. Në fjalimin e Papës në OKB, kjo ishte një pikë qendrore, me shumë rëndësi. Për shembull, kur flitet për ambientin, nuk mund të mbizotërojë llogjika afatshkurtër ndaj asaj afatgjatë. Janë të nevojshme investime afatgjata, që të varfërit të kthehen në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.