2008-07-07 18:34:51

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gjon Eudes, meshtari që u kumtoi dhëmbshurinë e Zotit grave të përdala".


(07.07.2008 RV)E fshehur në skajin e një porte të madhe, një grua pret klientë. Sapo ka aguar.
Gjon Eudes me disa miq, vrapojnë për në Meshën e mëngjesit.
“Ngadalë, bre!” – u thërret nga mbrapa gruaja – “Pse gjithë ky ngut?”.
Grupi i burrave ngadalëson për një çast hapin e, pas një ngurrimi të vogël, vijon rrugën. Gjoni kthen kokën mbrapa… Gruaja e përdalë e ngacmon: “Jam e sigurtë se po shkoni në kishë për t’u gjunjëzuar para figureve…, e kështu ju thotë mendja se jeni në rregull me Zotin!”.
Meshtari mbetet si i shituar. Edhe dy herë të tjera, në vitin 1634 në Argjentan, krahinë franceze në Normandi, kur pati rënë kolera; e katër vjet më pas, në Kaen, gjithnjë në Normandi, pati rastin të takohet me gratë, të cilat gjithë bota i tregon me gisht: prostitutat. U kujdes për to, si për gjithë të tjerët, e u ofroi praninë e ngushëllimin e Jezusit, përmes Eukaristisë. Po sikur këto takime të ishin shenjë, që tregonte se Zoti po i kërkonte të bënte diçka më tepër? Në Ungjill Jezusi u thotë atyre, të cilët deshën ta mbysin me gurë gruan kurorëthyese: “Unë nuk gjykoj asnjeri”. E atëhere pse ai, Gjon Eudes, që është meshtar e duhet t’i përngjasë Krishtit, na u dashka t’i gjykojë? Zoti e la Marinë Magdalenë t’ia lyente këmbët me një parfum të çmuar. Atëherë pse duhet të bëjë sikur s’e ka parë? Madje Jezusi ka thënë edhe se do të na paraprijnë në Parriz. Tani, ç’bën Kisha për t’u treguar këtyre grave se Zoti nuk i gjykon, përkundrazi, kujdeset për to?”. Këto pyetje nisin t’i bëjnë vetes Gjoni e miqtë e tij, në sa vijojnë rrugën drejt kishës.
“Zoti nuk do të ndërhynte kurrë nga qielli, duke i rregulluar punët e botës si me magji”, thotë me zë të lartë njëri prej tyre. “Vëmendja që i kushton çdo krijese, bëhet e dukshme përmes burrave e grave, të cilët vendosin t’u shërbejnë të tjerëve”.
“Nuk mund ta dish rezultatin, para se ta kesh nisur punën” - nënvizon një tjetër “Duhet rrezikuar!”.
Kështu Gjon Eudes, me ndihmën e miqve të tij, nis të kërkojë një shtëpi. Pastaj krijon një grup vullnetarësh, që janë gati të kujdesen për këto gra të cilat, sipas mendimit të përgjithshëm, e kanë humbur shpirtin.
Lind, kështu, instituti i Zojës së Dhembshurisë. Gjoni interesohet edhe për formimin e meshtarëve e nis të themelojë për ta disa seminare.Duke u marrë me dramën e prostitutave e duke bërë përpjekje për ta bazuar meshtarinë mbi studimin e zgjuarsinë, Gjon Eudes përshkon dy rrugë, që të çojnë te Zoti: atë të zemrës e atë të shpirtit. Rrugën e jetës e përfundoi më 1680, por dy rrugët e tjera nuk përfunduan bashkë me shtegtimin e tij tokësor; vijojnë të jenë të hapura…







All the contents on this site are copyrighted ©.