2008-07-06 12:10:44

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(06.07.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XIV të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.
U përkujtuan edhe shenjtoret Maria Goreti, virgjër e martire e Shën Maria Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave Misionare të Shën Pjetër Klaverit.

Shën Asti, ipeshkëv i Durrësit e Shën Benedikti XI, papë, që do të kremtohen të hënën, na kujtojnë se idhujt, për të cilët flet profeti në liturgji, ekzistojnë edhe sot e, në se duam t’i mposhtim tundimet që na vijnë prej tyre, duhet ta lëshojmë plotësisht veten në dorë të Zotit, t’i besojmë, ta prekim, si gruaja e Ungjillit e ta lemë të na marrë për dore, si vajza dymbëdhjetëvjeçare!

Të martën do të kremtohet festa e Shenjtorëve Eugjeni III papë, Akuila e Prishila, dishepuj të Shën Palit. Na kujtojnë se Jezusi, që në fillim të misionit, i fton të gjithë të luten që Hyji të dërgojë njerëz të gatshëm të dhurojnë vetveten për mbretërinë e Tij.

Liturgjia e Shenjtorëve Agostin Zhao Rong meshtar e shokëve të tij, martirë kinezë, e Shën Adrianit III papë dhe Shën Veronikës Gjuliani, abateshë klarise kapuçine, që do të kremtohen të mërkurën, na fton t’i besojmë Krishtit, t’ia kushtojmë gjithë jetën e të këndojmë së bashku me Psalmisitin: “Ndriçoftë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate”.

Kur e provojmë se Zoti është dashuri, bëhemi më të ndjeshëm ndaj vëllezërve e më të gatshëm t’ua dhurojmë dashurinë, që e morëm falas. Këtë na kujtojnë të enjten Shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitoria, martire.

Të premten do të kremtohet Shën Benedikti Abat, Pajtor i Evropës. Jeta e tij la e vijon të lërë gjurmë në jetën e mijëra burrave e grave. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë.

Në se punojmë për Zotin, provojmë paqen që vetëm Ai di ta japë. E në se duam të bëjmë vërtetë atë që do Zoti, nuk duhet të kemi frikë nga fjalët e botës. Krishti vijon të na ftojë të jemi dëshmitarë të Kryqit të Tij të lumnueshëm, duke na siguruar se gëzimi i Zotit të kryqëzuar e të ngjallur do të jetë edhe gëzimi jonë. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shën Gjon Gualbertit, abat, themelues i valombrozanëve dhe Shën Naborit e Feliçit, martirë milanezë, që do të përkujtohen të shtunën.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XV të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.