2008-07-06 12:12:03

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Luiza de Marijak, vejusha e re që krijon rregulltare të mira".


(06.07.2008 RV)RealAudioMP3 Trokasin në portë. Luiza vrapon ta hapë. Para saj shikon një fshatare të re. “Mirëdita!”, e përshëndet Luiza “Si mund t’ju ndihmoj?”.
“Më quajnë Gjovana e dëshiroj të bashkohem me bijat e Bamirësisë”.
“Do të jemi tepër të kënaqura t’ju pranojmë mes nesh, Gjovanë. Lëri këtu plaçkat e eja të hash me ne”.
Luiza dë Marijak e shoqëron të sapoardhurën në dhomën e bukës, ku e presin tetëdhjetë simotrat.
“Gjovanë, ju paraqes Bijat e Bamirësisë”, i thotë Luiza, duke i treguar bashkësinë e vogël. “Vajza, kjo është Gjovana. Dëshiron të jetojë me ne, t’u shërbejë, së bashku me ne, të varfërve, për lumni të Zotit”.
Një brohori e lehtë shpërthen njëherësh nga tetëdhjetë gojë në dhomën e bukës. Është shenja e miratimit për motrën e re. Gjovana ulet pranë njërës nga tryezat, ku simotrat shtyhen për t’i bërë vend. Pas bekimit, mund të fillojë dreka. Gjellët janë të shijshme, sepse Bijat e Bamirësisë punojnë shumë e nuk mund ta përballojnë mundimin e ditës, në se nuk ushqehen mirë. E Gjovana do ta provojë shumë shpejt këtë.
Ndërsa shikon këto gra që hanë të ulura njëra pas tjetrës, Luiza de Marijak rikujton udhën e gjatë që bëri, për të arritur deri këtu. E kush do ta kishte besuar, pesëmbëdhjetë vjet më parë, se do të përfundonte në këtë vend? Në se nuk do ta kishin ndihmuar i biri, Mikeli e Vinçenc de Paoli, tani ndoshta do të vijonte të lotonte mbi rrasën e një varri të dashur. E pati tepër të vështirë ta merrte veten, pas vdekjes së shokut të jetës… Dhimbja e madhe do ta kishte mbytur edhe atë vetë. Po Mikeli ia riktheu gëzimin e të jetuarit e Vinçenc de Paoli e ndihmoi të realizonte endrrën e saj: t’i kushtohej plotësisht shërbimit të të varfërve. Së bashku me Vinçencin, Luiza krijoi një bashkësi rregulltaresh, që nuk rrinë të mbyllura në kuvend. Dëshira që ‘motrat e saj të mira’ të shkonin për t’i ndihmuar të varfërit rrugëve, u realizua.
Në vitin 1633 Luiza nis të mbledhë Bijat e para të Bamirësisë, që veshin një zhgun të thjeshtë e mbathin sandale edhe më të thjeshta. E kështu të veshura, fillojnë misionin e tyre udhëve e spitaleve, kudo i thërret zëri i të varfërve. Kanë vetëm një pasuri, për të lehtësuar mjerimin që rëndon mbi botën: buzëqeshjen, lutjet e… atë që u dhurojnë zonjat e bamirësisë, gratë e aristokracisë, që vendosin të ndjekin shembullin e Luizës, duke vijuar të jetojnë në shtëpitë e tyre. I ndihmojnë rregulltaret, duke qepur çarçafë e veshje për vëllezërit më të pafat e duke gatuar gjellë, që motrat, pastaj, i shpërndajnë atje ku ka më shumë uri.
Në vitin 1642 Bijat e para të dashurisë bëjnë kushtet së bashku me Vinçenc de Paolin. Më pas urdhëri do të ketë edhe Rregullën e jetës, e cila do të tërheqë shumë dëshirtare, si Gjovana, në Francë e në mbarë botën. Vepra e Luizës de Marijak, që përpiqet të lehtësojë vuajtejet e njeriut e mjerimin e botës, vijon të përhapet…







All the contents on this site are copyrighted ©.