2008-07-04 17:44:44

Vëzhguesi i Vatikanit pranë OKB-së, imzot Miliore: “Bashkësia ndërkombëtare duhet ta përballojë me përgjegjësi krizën aktuale ushqimore”.


(04.07.2008 RV)“Kriza ushqimore botërore përbën një kërcënim të madh lidhur me respektimin e së drejtës themelore të çdo njeriu për të siguruar ushqimin e nevojshëm, larg çdo rreziku të urisë”. Këtë pohoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvi Çelestino Miliore, duke marrë pjesë në diskutimin e Këshillit ekonomik e shoqëror të bashkësive fshatare. Ndër vendet në rrugë zhvillimi - shtoi prelati – duhen shpejtuar reformat agrare, për t’u siguruar bujqëve mjetet e nevojshme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe hyrjen në tregjet globale.
Zhvillimi i bashkësive fshatare pengohet nga kriza e vazhdueshme ushqimore e nga ngadalësimi i zhvillmit ekonomik të disa vende të zhvilluara. Pasojat e kësaj situate janë rritja e nivelit të mungesës së ushqimit në disa zona të globit e rritja e çmimeve të ushqimeve bazë në zona të tjera. Kriza ndikon fuqimisht mbi gjithë shoqërinë – vërejti prelati - i cili theksoi se shkaqet e një situate të tillë duhen kërkuar në politikat ekonomike e bujqësore dritëshkurtëra, që thellojnë kontrastin ndërmjet shtimit të kërkesave për ushqim e prodhimit të pamjaftueshëm ushqimor. Ndërmjet faktorëve kritikë, vëzhguesi i Selisë së Shenjtë kujtoi edhe thellimin e spekullimeve financiare, rritjen e pakontrolluar të çmimeve të naftës dhe kushtet e pafavorshme klimaterike. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të presë – theksoi me forcë përfaqësuei i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së. Duhet të punojë për t’i dhënë fund sa më shpejt krizës ushqimore. E të mendosh – shtoi prelati – se nuk gjindet një fond për të ndihmuar popullsitë, që vuajnë nga uria, në një botë ku çdo vit shpenzohen rreth 1, 3 trilionë dollarë vetëm për armatimet. Ndihmat për të përballuar emergjencën – propozoi Imzot Miliore – duhen shoqëruar me përpjekje të koordinuara nga ana e të gjithëve, për të financuar programe bujqësore të qëndrueshme e afatgjata. Kriza aktuale – përfundoi prelati – duhet ta nxisë bashkësinë globale t’i pëballojë me përgjegësi të lartë detyrat e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.