2008-07-04 17:45:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Isidori bujk na kujton se të gjithë, pa përjashtim, mund të bëhen shenjtorë!".


(04.07.2008 RV)Bujku Isidor është përsëri me vonesë! Burrat, që punojnë me të, ankohen vazhdimisht, sepse vjen përherë i fundmi në arë. E pra Isidori ngrihet në mëngjes më heret se të gjithë punëtorët e don Huan de Vargas. Punëtorët nuk kanë asnjë dyshim për arsyen e vonesës së tij të përditshme. E dinë më së miri se Isidori ngrihet pa gdhirë për… të vizituar të gjitha Kishat e Madridit.
Sheh Meshë ditë për ditë e kalon orë të tëra duke u lutur, para se të niset për në punë. Por kur arrin në arë, punon si i çmendur. Plot me energji e falë lutjeve të mëngjesit, lëron më shpejt se të gjithë bujqit e tjerë.
“Nuk është humbje kohe: pikërisht koha e shkrirë për Hyjin të ndihmon t’i realizosh me sukses të gjitha punët e tjera” – përsërit shpesh me vete Isidori. E shihet qartë se është pikërisht kështu. Po shokët e shikojnë shtrembër këtë bujk, që guxon të vijë në punë me vonesë e që punon sa të gjithë së bashku. E marrin nëpër gojë sa munden, derisa fjala arrin në vesh të të zotit të arës. Don Huan de Vargas nuk është nga ata që e lënë veten të mashtrohen nga punëtorët, prandaj vendos të shkojë e të shikojë me sytë e vet si shkojnë punët.
Kur arrin në pronat e veta, zotëria pret gjithçka, veç… jo këtë! Ndërsa i afrohet arës, në të cilën punon Isidori, i ndodh diçka që e lë pa mend. Don Huan de Vergas shikon dy engjëj, secili me nga një pendë qe, që lërojnë arën përkrah Isidorit. Engjëjt zhduken, sapo zotëria i afrohet bujkut, gjithsesi ai është tepër i sigurtë se pak më parë ishin aty. Ia thotë këtë Isidorit: po ai nuk ka parë gjë prej gjëje. Di me siguri vetëm se Hyji, të cilit i lyp ndihmë, nuk e braktis kurrë.Feja e thjeshtësia e Isidorit janë shembullore. Për të jetuar si shenjtorët, në të vërtetë nuk duhet të kryesh me doemos vepra të mëdha, ose të shkruash libra gjenialë. Edhe jeta që i kushtohet plotësisht lutjes e të tjerëve, është shembull i jashtëzakonshëm shenjtërie. E ky - edhe mesazhi që deshi të përcillte Papa Gregori XV kur, më 1622, e shpalli shenjt Isidorin, në të njëjtën ditë me Shenjtorët Tereza e Avilës, Injaci i Lojolës, Filip Neri e Françesk Saveri. Në mes të gjithë këtyre ‘personaliteteve’, figura e thjeshtë e bujkut i jepte një mësim të madh Spanjës e Botës: studiuesit, bujqit, intelektualët, nënat e familjeve, zejtarëve, rregulltarët… të gjithë pa përjashtim, mund të bëhen shenjtorë!







All the contents on this site are copyrighted ©.