2008-07-03 17:23:20

Ungjijtë, pjesë themelore e kulturës sonë, në Festivalin e Dy Botëve.


(03.07.2008 RV)RealAudioMP3 Me leximin, në Spoleto, të Ungjillit sipas Gjonit nga ana e drejtorit të së përditshmes ‘L’Osservatore Romano’, Gjovani Maria Vian, përfundoi cikli i takimeve të parashikuara në kuadrin e Festivalit të Dy Botëve, me titull: “Ungjijtë. Në fillim ishte Fjala!”. Për të kuptuar jehonën, që pati leximi i fragmenteve ungjillore në Festivalin spoletin, të dëgjojmë, në mikrofonin e Radios sonë, drejtorin e së përditshmes së Selisë së Shenjtë, Gjan Maria Vian:

Përgjigje: - Të gjithë ata që morën pjesë, u rrëmbyen nga kjo formë e re e paraqitjes së Ungjijve, sepse është lexim i vijueshëm, pothuajse i plotë, i teksteve, që normalisht ose dëgjohen në Kishë ose lexohen pjesërisht. Ndërsa duke i dëgjuar të plota, ndryshon puna.

 
Pyetje: - Pse, sipas jush, u mendua të përfshihej edhe leximi i fragmenteve nga Ungjijtë, në një manifestim ndërkombëtar të muzikës, artit, kulturës e spektaklit?

 
Përgjigje: - Kjo, besoj, është meritë e zgjedhjes që bënë Gjorgjo Ferrara, drejtues artistik dhe Ernesto Gali Della Logjia, drejtues kulturor i këtij festivali, zgjedhje e bërë me mprehtësi kulturore. Edhe Ungjijtë janë pjesë themelore e kulturës sonë, e kjo kulturë do të varfërohej ndjeshëm, në se nuk do t’i njihte ose do ta humbiste kujtesën e këtyre teksteve, siç po ndodh, për fat të keq, edhe në vendet me traditë të lashtë të krishterë.

 
Pyetje: - Festivali i dy Botëve përpiqet gjithnjë të propozojë gjëra të reja, të japë shfaqje të pararojës, por respekton edhe traditën klasike. Si lidhet në këtë festival arti antik me atë bashkëkohor?

Përgjigje: - Kjo ndodh pikërisht falë natyrës së Ungjijve, që janë tekste dramatike, edhe në kuptimin teknik të fjalës. Dihet se teatri perëndimor lindi nga shfaqjet kishtare të epokës mesjetare, posaçërisht nga dramatizimi i Mundimeve të Krishtit. Kjo formë skenike ruhet edhe liturgjikisht kur, në Javën e Madhe, në leximin e rrëfimeve të ndryshme mbi Mundimet e Zotit, marrin pjesë disa lexues. Prandaj mund të themi se zgjedhja e Ungjijve për festivalin e Spoletos, ishte një gjetje e mprehtë e guximtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.