2008-07-03 17:07:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Ines Takeia e Maria Tanaura, martire të krishtërimit në Japoni në vitin 1618...".


(03.07.2008 RV)RealAudioMP3 Dy mikeshat, Ines Takeia e Maria Tanaura, përshëndeten në zemër të natës, si të ishin dy konspiratore. Ines e mbyll portën e shtëpisë lehtë, pa bërë zhurmë. Maria largohet me çape të pandjeshme nëpër rrugët e Nagasakit, në Japoni… Kur arrin në shtëpi, takon një patrullë ushtarësh. Me pamje indiferente, u bën një shenjë të lehtë me kokë, në shenjë përshëndetjeje. Po shpirti i dridhet: kush e di ç’do të ndodhte, po ta dinin se vjen nga shtëpia e mikeshës së vet, ku janë fshehur disa meshtarë!
Jemi në vitin 1618 e që prej katër vjetësh në Japoni ka nisur persekutimi kundër të krishterëve. Meshtarët evropianë kanë marrë urdhër të largohen menjëherë nga ishulli, por shumë prej tyre nuk binden e mbeten në tokën e misionit, të fshehur nga familje guximtare. Ndonëse me mure prej karte, shtëpitë japoneze janë strofulla të përkryera! Portat çelen e mbyllen pa kurrfarë zhurme; kur ecën pa këpucë mbi dyshemenë prej rrogozash, hapat nuk ndjehen fare; zakoni i vendit kërkon të flitet me zë të ultë, të matur… kështu, pas mureve prej karte, mund të fshihen shumë gjëra… Për vite me radhë policia s’ dyshon fare se shumë meshtarë nuk janë larguar, janë aty, në Japoni! Për Inesin, bashkëshortin e saj, Kozmanë e për mikeshën e tyre, Marinë, të kundërshtojnë vendimin e perandorit, do të thotë të venë në rrezik jetën. Por ndërkaq e dinë mirë edhe se mbijetesa e të krishterëve, në një vend si Japonia, ku u duhet të përballojnë persekutime nga më të ndryshmet, varet prej guximit të vetë besimtarëve në Krishtin. Në se dorëzohen, krishtërimi zhduket nga vendi i tyre. Kështu të krishterët japonezë bëjnë garë kush e kush t’i mbrojë më shumë meshtarët evropianë, duke përballuar, me një guxim të jashtëzakonshëm persekutimin e duke strehuar edhe meshtarët e rinj, që vijojnë të hyjnë fshehurazi në ishull. Atë Angjelo Orsuki e Atë Gjoni i Shën Dedës, për shembull, zbarkuan në Japoni një muaj më parë, në fillim të gushtit. Erdhën nga Italia e nga Spanja, duke sfiduar kërcënimet e tmerrshme të perandorit, për t’u dhënë dorën të krishterëve japonezë. Por për fat të keq, natën e 13 dhjetorit 1618, një tradhtar i tregon policisë disa shtëpi të dyshimta, ndërmjet të cilave edhe familjen Takeia. Nisin arrestimet. Burgjet mbushen plot e perandori nuk ka pikë mëshire. Në shtator të vitit 1622, pesëdhjetë të krishterëve u pritet koka. Me kokë e paguajnë guximin e tyre edhe bashkëshortët Takeia, Maria e meshtarët që fshihen në shtëpinë e tyre. Ata pak njerëz, që i shpëtojnë persekutimit, organizohen, për të vijuar jetën si klandestinë. E transmetojnë fenë, fshehurazi, nga breznia në brezni, duke pritur me durim ditën, kur do të mund të dilnin rishtas në dritën e diellit.







All the contents on this site are copyrighted ©.