Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Bernardin Realinin
(02.07.2008 RV)Qyteti i Leçes, në Itali, ka një veçori dalluese: Pajtorin
e vet e zgjodhi jo vetëm para se të shpallej zyrtarisht shenjt nga Kisha, por madje
edhe para se të vdiste, më 2 korrik të vitit 1616. E kemi fjalën për Shën Bernardin
Realinin, rregulltar jezuit. Kur po jepte shpirt, këshilli bashkijak i Leçes, i mbledhur
me ngut, i shkoi tek shtrati i vdekjes e iu lut të bëhej Pajtor i qytetit. Banorët
e Leçes e bënë këtë, sepse druheshin se pas vdekjes, njeriu i jashtzakonshëm, që kishte
banuar në qytetin e tyre, duke lënë gjurmë të ndritura shenjtërie e duke tërhequr
me shembullin e tij mijëra nxënës, mund të shpallej pajtor i Karpit, ku kishte lindur
më 1 dhjetor të vitit 1530 në një nga familjet më të njohura fisnike të vendit. Këtu
kishte filluar të merrte edhe mësimet e para, nga mësuesët më të njohur të kohës,
të ftuar në shtëpinë e tij. Më pas Bernardini ndoqi akademinë modeneze, qëndër kulturore
nga më të shquarat në Itali. Pasi studioi filozofi e mjekësi, 26 vjeç u diplomua
në drejtësi civile e kanonike. Hyri kështu në rrugën e shërbimit publik, ku nisi menjëherë
të bëjë karrierë. Por kjo rrugë, në të cilën po ecte me çapin e sigurtë të njeriut
me përgatitje kulturore të gjithanëshme, u ndëpre papritmas. Duke hequr dorë nga kënaqësitë
e botës, nga rruga e suksesit, nga majat e nderimeve që i ofronin aftësitë e tij si
jurist i shquar, Bernardini hyri në shoqërinë e jezuitëve, ku më 1567 u shugurua
meshtar e u bë menjëherë mësues i novicëve jezuitë. Shtatë vjet më vonë krijoi në
Leçe një kolegj, të cilit iu kushtua deri në vdekje, duke lënë gjurmë të pashlyera
në historinë e qytetit jugor italian. Prandaj Bernardini, i shpallur shenjt nga
Papa Piu XII në vitin 1947, ndonëse nuk është leçez, e as puliez, mbeti Pajtor i
Leçes.