2008-07-02 16:35:48

Papa lutet që në Kolumbi të mbretërojë paqja e qëndrueshme dhe e drejtë.


(02.07.2008 RV)RealAudioMP3 Papa lutet me gjithë zemër që në Kolumbi të marrin fund dhuna, rrëmbimet, kërkimi me forcë i parave” e në vendin latinoamerikan të mbretërojë paqja e qëndrueshme dhe e drejtë. Fjalët e Benediktit XVI u transmetuan dje, përmes një videomesazhi, drejtuar Asamblesë së 85-të plenare të Episkoptatit kolumbian. 90 pjesëmarrësit, ipeshkvij e kryeipeshkvij, janë mbledhur, që të dielën e kaluar, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Kikuinkuirës, në Kolumbi, për të kremtuar njëqind vjetorin e themelimit të Konferencës ipeshkvnore kolumbiane.
“Si Barinj të Kishës, detyra jonë është t’i prijmë e ta udhëheqim në rrugë të drejtë popullin e Zotit, që ka nevojë të shikojë në ne, njerëzit e vërtetë të Hyjit… si apostuj e misionarë, ndihmojmë ata që janë afër, por edhe ata që janë larg, për të gjetur në Krishtin, jetën në kuptimin e plotë të kësaj fjale, të cilën aq shumë e dëshirojnë”. Kështu shprehet Papa në videomesazhin drejtuar prelatëve kolumbianë, të mbledhur në asamblenë e tyre për të kremtuar 100-vjetorin e lindjes së Konferencës ipeshvnore kolumbiane, themeluar me vendim të Koncilit I Plenar të Amerikës Latine. Papa i nxit ipeshkvijtë t’i ndihmojnë vëllezërit, duke u shërbyer posaçërisht më të varfërve e duke u përcjellur atyre mesazhin e paqes, të drejtësisë, të pajtimit:
“Quiero decirles que en este…"
Dëshiroj t’ju them se në këtë punë nuk jeni vetëm. Ju shoqëroj me lutjen e afërsinë shpirtërore në përpjekjet tuaja për ta bërë Ungjillin të jehojë në të katër anët e trojeve kolumbiane, përmes nismave të filluara në fushën e punës baritore edukative e universitare si dhe vëmendjes që i kushtoni të burgosurve, të sëmurëve, të moshuarve, indianëve, punëtorëve, të shpërngulurve, të rinjve e familjeve”.
Benedikti XVI kujton edhe ‘dëshminë e zellin apostolik’ të barinjve, që morën pjesë në Konferencën e parë ipeshkvnore të Kolumbisë, në vitin 1908: dëshmi që i fton të gjithë t’u përgjigjen sfidave të sotme në Kishat e vendeve të tyre:
“No puedo olvidar tampoco…"
Nuk mund të harroj edhe kujdesin për të qenë njerëz të harmonisë, në thirrjet tuaja të vazhdueshme kundër dhunës, rrëmbimit, kërkimit të parave e formave të tjera të kërcënimit,që pësojnë shumë bij të kësaj toke të dashur. I lutem me gjithë zemër Zotit që këto situata, të cilat kanë shkaktuar shumë dhimbje, të marrin fund një herë e mirë e në Kolumbi të mbretërojë paqja e qëndrueshme dhe e drejtë, në atmosferën e shpresës e të mirëqenies”.
Në përfundim të fjalimit, Papa kërkon mbrojtjen e Zojës Rruzare të Kikuinkuirës.
E pikërisht në Shenjtëroren që i kushtohet Asaj, janë mbledhur, në përfundim të një shtegtimi, ipeshkvinjtë kolumbianë, që po reflektojnë për temën: “Kujtesa historike e Konferencës ipeshkvnore të Kolumbisë në kremtimin e njëqindvjetorit të saj të parë”.
Figura e Zojës Rruzare është pikturuar mbi një pëlhurë të 1500-ës, ndërmjet Shëna Ndout e Shën Andreut apostull. Kjo figurë, pasi qe dëmtuar rëndë, u riduk mrekullisht përsëri, pasi pati lëshuar një dritë të jashtëzakonshme. Që nga kjo kohë, drejt shenjtërores nisën shtegtimet e mrekullitë. “Kemi më shumë se kurrë nevojë për dritën e Saj” – tha në hapje të Konferencës imzot Augusto Kastro Kuiroga, kryeipeshkëv i Tunjës e kryetar i Konferencës ipeshkvnore kolumbiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.