2008-07-02 16:33:19

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI filloi një cikël të ri katekizmi, kushtuar Shën Palit. Pasdite Papa u nis për në Kastel Gandolfo.


(02.07.2008 RV)RealAudioMP3 Pak ditë pas fillimit të Vitit kushtuar Shën Palit, Benedikti XVI nisi sot paradite, një cikël të ri katekizmi, kushtuar Apostullit të Popujve. Gjatë audiencës, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa e përqendroi reflektimin tek mjedisi në të cilin jetoi e veproi Shën Pali, duke ripohuar aktualitetin e kësaj figure “pothuajse të paimitueshme’. Figurë - kujtoi Papa – nga e cila të krishterët e kohëve tona kanë ende shumë për të mësuar.
Audienca e sotme e përgjithshme, e fundmja para periudhës së pushimeve verore, do të ndërpritet për shkak të Ditës Botërore të Rinisë së Sidneit. Ndërsa sot pasdite, rreth orës 18. 00, Papa u nis nga Pallati Apostolik, për në selinë e tij të Kastel Gandolfos. Por të rikthehemi tek katekizmi i sotëm.
“Është e drejtë t’i kushtohet vëmendje e posaçme Shën Palit, e jo vetëm duke e nderuar kujtimin e tij, por edhe duke u përpjekur për të kuptuar atë që dëshiron të na thotë ne, të krishterëve të sotëm”: këtë u kujtoi Benedikti XVI besimtarëve në katekizmin e parë kushtuar Apostullit të Popujve:
“Apostulli Pal, figurë e jashtëzakonshme e pothuajse e paimitueshme, e megjithatë, nxitëse, është për ne shembull i përkushtimit të plotë ndaj Zotit e Kishës së tij, përveçse njeri që bashkëpunoi ngushtë me njerëzimin e me kulturat e ndryshme”.
Nga ana tjetër – vijoi Ati i Shenjtë – Shën Palin nuk mund ta kuptojmë drejtë, në se nuk e vendosim në sfondin, sa judaik aq edhe pagan, të kohës së tij. Prandaj Papa e nisi ciklin e katekizmit kushtuar Shën Palit, duke u ndalur pikërisht tek ambienti në të cilin jetoi e punoi Apostulli. Rrethanat shoqëroro–kulturore të dymijë vjetëve më parë – shpjegoi Papa – nuk ndryshonin shumë nga këto të sotmet. Gjëja kryesore, që duhet të kemi parasysh, për ta njohur më mirë Shën Palin, është lidhja ndërmjet mjedisit ku lindi e atij në të cilin jetoi më pas. Shën Pali – vijoi të shpjegonte Papa – i përkiste një kulture të mirëpërcaktuar, asaj të popullit të Izraelit. Hebrenjtë – kujtoi Shenjtëria e Tij – asokohe përbënin rreth 10% të popullsisë së perandorisë romake:
Besimet e tyre e stili i jetës së tyre, siç ndodh edhe sot e kësaj dite, i dallonin plotësisht nga mjedisi rrethues; e kjo mund të kishte dy rezultate: talljen, që mund të çonte në intolerancë, ose admirimin, që shprehej në forma të ndryshme të simpatisë, si në rastin e njerëzve, të cilët e druanin Hyjin, ose të prozelitëve, dmth ayre që ktheheshin në rrugën e tij”.
Kishte nga ata që, si Ciceroni, i përbuznin hebrenjtë, por edhe nga ata që, si Jul Qesari, u njihnin të drejta të posaçme. Prej këndej, edhe vetë Pali është objekt i një vlerësimi të dyfishtë. Gjithsesi – nënvizoi Papa – veçantia e fesë judaike zinte qetësisht vendin e vet brënda perandorisë romake:
Më e vështirë e më e shqetë do të ishte pozita e grupit të atyre, hebrenj apo neopaganë, që do të pranonin me fe vetjen e Jezusit të Nazaretit, në atë masë që ata do të dalloheshin si nga judaizmi, ashtu edhe nga paganizmi sundues”.
Sidoqoftë - shtoi Papa – impenjimi i Palit u favorizua nga dy faktorë: kultura greke, ose më mirë të themi, helenistike dhe struktura politiko-administrative e perandorisë romake, që garantonte paqen e stabilitetin nga Britania në Egjipt. Vizioni universalistik, tipik për personalitetin e Shën Palit - vijoi Benedikti XVI - shtytjen kryesore, natyrisht, e merr nga feja në Jezu Krishtin, sepse figura e të Ngjallurit tashmë e kapërcen çdo kufizim sektar. Por edhe situata kulturore e mjedisi i kohës së tij, nuk mund të mos ndikonin mbi rrugët që zgjodhi Apostulli:
Dikush e ka quajtur Palin “njeri i tri kulturave”, duke pasur parasysh prejardhjen e tij judaike, gjuhën e tij greke e privilegjin e tij si ‘civis romanus’ (nënshtetas romak), siç e dëshmon edhe emri i tij me origjinë latine”.
Është për t’u kujtuar në mënyrë të posaçme – tha Papa – filozofia stoike, e cila ndikoi sadopak edhe mbi krishtërimin. Prandaj Benedikti XVI citoi disa filozofë stoikë, si Xenoni e Seneka, në veprat e të cilëve gjinden vlera të larta humaniteti e urtie, që u përvetësuan nga krishtërimi.
“Mendojmë, për shembull, për doktrinën e universit, kuptuar si një trup i vetëm i harmonishëm e, si pasojë, për doktrinën e barazisë të të gjithë njerëzve, pa asnjë dallim shoqëror, për barazimin, së paku në parim, ndërmjet burrit e gruas, e pastaj për idealin e thjeshtësisë në gjithçka e të masës së drejtë në sundimin e vetvetes, për të shmangur çdo teprim”.
Më pas Papa kujtoi se në kohën e Palit, në Romë, shumë kulte pagane nuk i kushtonin vëmendje të veçantë tempujve zyrtarë dhe e zhvillonin veprimtarinë e tyre në vende private, ashtu si zhvilloheshin edhe takimet e para të të krishterëve. Gjithsesi – saktësoi Ati i Shenjtë - ndryshimet ndërmjet kulteve pagane e atij të krishterë nuk janë të pakta e kanë të bëjnë sa me ndërgjegjën identitare të pjesëmarrësve, aq edhe me pjesëmarrjen e përbashkët të burrave e të grave si dhe me kremtimin e ‘Darkës së Zotit’.
Papa e përfundoi katekizmin duke vënë theksin mbi origjinalitetin e Palit, nga i cili “të gjithë kemi akoma shumë për të mësuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.