2008-07-02 16:41:37

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Vinçenc de ‘Paoli që ëndërronte një ardhmëri të mrekullueshme…".


(02.07.2008 RV)RealAudioMP3 Vinçenc de’ Paoli fërkon duart i kënaqur sa më s’ka, ndërsa ecën nëpër rrugët e Parisit. Dëshiron t’ia thotë të gjithëve, e sidomos zotërinjve, që i kalojnë para me karrocat e tyre të bukura, atë që sapo dëgjoi: “Pjetri i madh di Beryl më parafoli një ardhmëri të mrekullueshme!”.
Vinçenc de’ Paoli është biri i një fshatari të varfër nga Landet, krahinë në jug-perëndim të Francës. Lindi më 1851 e në moshën njëzet vjeçare u bë meshtar, gjë që në atë kohë ishte një nga rrugët e zgjedhura për të bërë jetë të kamur. Pastaj Vinçenci vendos të shkojë në Paris. “Në kryeqytet do të bëhem edhe më i famshëm…”, mendon me vete.
E tani ka vendosur të ndjekë pa ngurrim këshillin e mikut të tij, Pjetrit: të vizitojë të pasurit në sallonet e tyre, të kalojë jetën mes pasjes e kënaqësive. Eh! Po! I biri i fshatarit të varfër, nga një vend i humbur i Landeve, është njeri ambicioz. I ushqyer me këto ëndrra, ia del mbanesh të bëjë shumë miq ndërmjet pushtetarëve të mbretërisë. Por, pas pak kohe, nis të lodhet nga kjo jetë, sepse e ndjen veten njeri fare të kotë. Në vitin 1617 kërkon ta çojnë në një nga famullitë më të varfëra të vendit. E pikërisht në këtë vit, jeta e tij ndryshon rrënjësisht. Atij, të cilit i qenë hapur portat e këshjellave më luksoze, tashti i duhet të përballojë mjerimin më të zi. Në famullinë e Vinçencit, shumë familje kanë një barrë fëmijë, herë pesëmbëdhjetë e herë-herë edhe njëzet. Prindërit nuk e kanë aspak të lehtë t’ua shuajnë urinë. Vinçenc de’ Paoli shfrytëzon të gjitha miqësitë e vjetra, për të mbledhur para. Shkon të takojë edhe kryeministriun e mbretit, kardinalin Rishelië, të cilit i kërkon lejë të posaçme për të luftuar kundër varfërisë. Falë guximit të tij, hap shtëpinë e pritjes së ‘Shën Lazrit’ ku të varfërit mund të strehohen e të mjekohen falas.Vinçenc de’ Paoli e kalon gjithë ditën ndërmjet pallateve të të pasurve, për të kërkuar lëmoshë e rrugëve të Parisit, për të mbledhur të varfërit e për t’i çuar në shtëpinë e Shën Lazrit. Mbledh e strehon edhe një numër shumë të madh fëmijësh të braktisur e nis t’u japë atyre shkollimin e përshtatshëm, që t’i shpëtojë përgjithnjë nga mjerimi. Mbështet ndërkaq, Luizën dë Marijak dhe kongregatën e motrave të saj; bëhet këshilltar shpirtëror i mbretëreshës së Francës… Pjetër di Beryl kishte plotësisht të drejtë: jeta kishte ruajtur për Vinçenc de’ Paolin një ardhmëri të jashtëzakonshme… Por jo atë që ëndërronte, kur ishte meshtar i ri ambicioz…







All the contents on this site are copyrighted ©.