2008-06-28 19:21:04

Shën Pali në Romë


(28.06.2008 RV)Shën Pali, ashtu si Shën Pjetri, njihet si Apostull i Romës, ndonëse nuk është themelues i Kishës Romake. Ai i deshi me gjithë zemër romakët, të cilëve u drejtoi një nga letrat e veta më të bukura e më të frymëzuara.
Që në vitin 58 pas Krishtit, Shën Pali kishte shprehur dëshirën të nisej për Romë.
Siç dëshmojnë disa dorëshkrime nga “Veprat e Apostujve”, ai e realizoi këtë dëshirë në vitin 61 pas Krishtit. Pa hyrë mirë në Kryeqytetin e Perandorisë, Apostulli u arrestua dhe iu dorëzua komandantit të Pretorianëve, Burros që, së bashku me filozofin Seneka, ishte edukator i Neronit.
Kështu Apostulli, që do të nderohej në shekuj të shekujve nga Qyteti i Amshuar, hyri në Romë i ngarkuar me zinxhirë, si një keqbërës i rëndomtë. Fitoi shumë shpejt simpatinë e të gjithëve, prandaj qe lejuar të banonte në një shtëpi private, të marrë me qira, nën mbikqyrjen e pretorianëve. Shumë gojëdhëna rrëfejnë për shtëpinë ku banoi Pali në Romë, por deri tani nuk ka asnjë dëshmi të sigurtë për vendin ku ndodhej kjo banesë. Ka mundësi që Pali të ketë banuar në lagjen e hebrenjve, me që i përkiste fisit të tyre.
Kur shpertheu salvimi i egër kundër të krishterëve, Pali u arrestua për herë të dytë. Nga veprat që i kushtohen vuajtjeve të martirëve, mësojmë se ai u dënua me prerjen e kokës. Dënimi, sipas burimeve të kohës, u ekzekutua në një vend që quhej -“Aquae Salviae”- “ Ujrat shëruese”. Sot njihet me emrin “Tre Fontane” – “ Tri burimet”, vend ku ngrihen tri Kisha- tri burime feje - në kujtim e në nderim të Apostullit. Gojëdhëna rrëfen se tri burimet e ujit shpërthyen nga toka shi aty ku ra koka e Apostullit, që duke u shkëputur nga trupi, në rrokullisje, preku tri herë tokën.
Shumë mendime ka edhe për vendvarrosjen e Shën Palit, prej të cilave, më i besueshmi është ai që flet për varrosjen e Apostullit në atë vend, që quhet “ad catacumbas”- (ad katakumbas) në rrugën Apia, jo larg nga varri i Çeçilia Metelës. Këtë e vërtetojnë edhe gërmimet arkeologjike nën Kishën e sotme të Shën Sebastianit. Në nderim të Apostullit të tyre, romakët ngritën bazilikën e dytë të krishterë, për nga madhështia: Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës.
Shumë shpejt pas vdekjes së Apostullit, data 29 qershor u caktua si ditë e kremtimit për nder të kujtimit të të dy Apsotujve: Shën Pjetrit e Shën Palit.
Në këtë ditë Papa kremtonte për popullin romak dy Meshë solemne, një në Bazilikën e Shën Pjetrit e një tjetër në Bazilikën e Shën Palit – jashtë mureve të Romës.
Kështu populli romak nderonte të dy Apsotujt, të cilët ndonëse nuk ishin romakë, fituan edhe me gjakun e vet, titullin “Qytetar nderi të Romës”.
29 qershori është jo vetëm e kremtja e ditëlindjes qiellore për dy Princat e Apostujve, por edhe dita simbolike e lindjes së primatit të Papës.
29 qershori është ditëlindja e Romës si “Qytet i Amshuar”.
Emrat Pjetër e Pal janë simbol i kalimit nga Roma pagane, në Romën e krishterë.
Për nga solemniteti poliliturgjik, 29 qershori mund të krahasohet vetëm më 25 dhjetorin - ditën e lindjes së Krishtit Shëlbues. Kjo festë e shkëlqyer romake u përhap shumë shpejt në të gjitha viset e krishtera, ne Lindje e në Perëndim.
Shën Gjon Krizostomi, gojtari më në zë i Kishës katolike, duke komentuar Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, më 391 pas Krishtit shkruan: “Prandaj e dua Romën, ndonëse mund ta lavdëroj edhe për motive të tjera: për madhështinë, lashtësinë, bukurinë, për banorët e shumtë, për pushtetin, për pasurinë, për fitoret e bujshme ndër luftëra. Por, duke i lënë mënjanë të gjitha këto gjëra, unë e quaj fatlume, sepse Pali shkroi për Romakët, i deshi me gjithë zemër, foli personalisht me ta dhe ndërmjet tyre kaloi ditët e fundit të jetës. Kjo është arsyeja që i jep qytetit më shumë lavdi se çdo gjë tjetër.
Si një trup i madh e i fuqishëm, ky qytet ka dy sy – dy drita më të ndritshme se rrezet e diellit në agim: trupat e dy Apsotujve, që përhapin dritë në të gjithë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.