Shtegtim simbolik në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, ku u hap sot Viti kushtuar
Apostullit të Popujve.
(28.06.2008 RV) Me fjalën bazilikë kuptojmë qelëzen ku, në kohët e para të
krishterimit, varrosej një njeri e nderohej kujtimi i tij. Prandaj ndërmjet “bazilikës”,
në kuptimin e një Kishe madhështore, që ka marrë kjo fjalë sot, e “bazilikës”, në
kuptimin e lashtë të saj, ka një lidhje të ngushtë. Dy nga bazilikat më të mëdha,
që njeh bota e krishterë: e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, janë ngritur pikërisht
mbi vendet ku qenë varrosur apostujt e maritirizuar. Shën Palit iu pre koka në
rrugën Ostiense dhe u varros në një copë tokë, që i përkiste matronës romake, Luçina,
po në rrugën Ostiense. Shën Pali pati një fund më të denjë se Shën Pjetri. I prenë
kokën. Nuk mundën ta poshtërojnë, si Shën Pjetrin, sepse ishte qytetar romak. E po
për këtë arasye, ia shkurtuan kokën jashtë mureve të Romës, që qyteti të mos përlyhej
me gjakun e qytetarit i cili - për ekzekutuesit - ishte i pabesë. Prej këndej bazilika
quhet: e Shën Palit jashtë Mureve. Vendvarrosja e Apostullit është saktësuar nga
gërmimet arkeologjike, te cilat kanë nxjerrë në dritë qelëzen e mbrojtur nga një
rrjetë hekuri, që ruante reliket e Apostullit. Bazilika e parë mbi këtë varr u ngrit
nga Perandori Kostandin. Aty nga shekulli IV, perandori Theodosi filloi zgjërimin
e saj. Punimet përfunduan në kohën e perandorit Onorio e të Papës Leoni I (440-46).
Më vonë Bazilika u rindërtua dhe u dekorua nga perandoresha romake, Plaçidia. Pësoi
dëmtime të rënda nga një zjarr i furishem në vitin 1823, pas të cilit u rindërtua
mbi themelet e vjetra, sipas modelit të Bazilikës së lashtë. Kiostri me 150 shtylla
dhe shtatorja madhështore e Shën Palit të japin menjëherë përshtypjen e një bazilike
tipike romake. Fasada, e stolisur me mozaikë, vetëtin nga ari, nga ngjyrat, nga drita…
Në pjesën e fundit të fasadës, ndërmjet të tjerave, ndodhet porta e bronzit, vepër
e Marainit. Bazilika, me pesë navata, ka përmasa shumë të mëdha, që të bëjnë përshtypje
të jashtëzakonshme e të menjëhershme. Përshtypja thellohet kur shikon radhën e pafund
të shtyllave dhe dritën mistike, që zbret nga dy sërë dritaresh prej alabastri. Lart,
në tavanin në stilin e Rilindjes, shkrihen e bardha me ngjyren e arit; poshtë, dyshemeja
shkëlqen me mijëra reflekse. Ndërmjet dritareve dhe shtyllave zgjatet një numër i
madh medalionësh në mozaik, që paraqesin portretet e papëve të ulur njëri pas tjetrit
në Selinë e Shën Pjetrit. Mozaiku i harkut triumfal është vepër e shkëlqyer e
shekullit V, punuar sipas urdhërit të perandoreshës Gala Plaçidia. Baldakini i
stilit gotik, që ngrihet mbi katër shtylla porfidi, në harmoni të plotë me linjat
tjera, është vepër e Arnolfo di Kambio ( shek. XIII). Nën elterin papnor, që njihet
si “Varri i Apostullit” ndodhet arka prej mermeri, që përmban reliket e Aposotullit
të Popujve. Në të djathtë të baldakinit mund të sodisim kandelabrin e famshëm
të Pashkëve, të gdhendur në mermer aty nga shekulli XII. Në “Kapelen e Sakramentit”
që ka shpëtuar nga flakët, ndodhet “ I Kryqëzuari”, vepër përpara së cilës është gjunjëzuar
sa herë shën Brixhida. Mbi absid shtrihet, në përmasa të mëdha, mozaiku me sfond
prej ari. Kiostri kosmatesk i Bazilikës mund të konsiderohet si një nga monumnetet
më në zë të artit, që kanë dalë nga duart e artistëve romakë të mermerit e të mozaikëve. Nuk
jemi ne shtegtarët e parë shqiptarë që shkelim në dyshemenë vetëtitëse të Bazilikës
së Shën Palit. Që vijmë të gjunjëzohemi te Varri i Apostullit. Një ndër shtegtarët
e njohur ka qenë Atë Bernardin Palaj - poet i madh e martir i fesë së krishterë në
Shqipëri. Ja si shkruan Atë Bernardini për mbresat qe i la Bazilika: “ … ma e bukra,
për sy të mi, Kishë e botës…Sigurisht këtu ma të bukurit mermere, ma të kushtueshmit… Kushdo
që hin, kushdo kjoftë ai, para ketij kolosit të artit kristian, mbetë i ngrimë… Këtu
shtyllat, me qindra, të gjana, mos me i pershî dy burra e të tana një copet, të bajnë
përshtypje të paharrueshme… Kaloj një orë qetësimi të mendes e të shpirtit te Vorri
i Shen Palit. Mandej sodis lteret e tjerë për rreth, ku gjithçka lumnon Zotin në shkallen
ma të naltë të artit… Sa e keqe të duket bota, kundrue prej çastit kur del nieri
prej Bazilikës së Shën Palit. Ç’vegim… ç’konstrast… ç’zhurmë… Ah, Shën Pali !
Sa herë që e shof, thom: Dam me e shkri zjarmi këtë tempull edhe diten e gjyqit! Edhe
në Parriz kishte me kene ma e bukura lule e artit kristian… (“Zani i Shëna Ndout”
1923, fruer). Bazilika e Shën Palit ka pasur një kumbonare të shek. XI, e cila u rindërtua
pas tërmetit të vitit 1948, u përgjysmua nga një goditje rrufeje me 1431 dhe u ngrit
përsëri pas vitit 1823. Po e përmendim, sepse ka një formë të veçantë, simbolike:
lartohet si një far për shtegtarët që, nëpër udhen Ostiense, shkojnë drejt detit.
Eshtë Shën Pali ky far, që ndriçon me dritë të pashuar shtegtimin e njerëzve. E edhe
shtegtimin tonë virtual, që përfundon këtu, te Bazilika e Apostullit të Popujve, atij
që u predikoi kombeve Fjalën e shpëtimit. Sikur na grish edhe ne të vazhdojmë këtë
predikim ndërmjet njerëzve të kohëve moderne, në rrugët e kombit tonë, që ka aq nevojë
për Fjalen e Shëlbimit…