Aktualiteti i solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal
(28.06.2008 RV)Dy Apostujt, Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i
zgjedhur nga Zoti", të nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz
feje e dashurie, pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për
një mision të përbashkët, për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës.
Për Të ata do të derdhnin edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë
emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit
simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër
botë. Në besojmën e Pjetrit, mund ta ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme,
pavarësisht nga ndarjet që në rrjedhë shekujsh e copëzuan unitetin e Kishës, me pasoja
që vijojnë edhe sot e kësaj dite. Prandaj në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal,
Kisha vë gjithnjë theksin mbi kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme
e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës dhe e Ipeshkvit të Romës. Kujtojmë se
Zoti e mbiquajti Simonin - Çefë, që do të thotë Pjetër – shkëmb. Jezusi pohon kështu
se mbi këtë shkëmb dëshiron të themelojë Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep
Pjetrit pushtetin e çilcave (cfr Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë
se besojma e Pjetrit është e pandashme nga detyra baritore që i besohet lidhur me
grigjën e Krishtit. Të gjithë ungjilltarët nënvizojnë se Shën Pjetri e shpreh besojmën
e tij atëhere kur Jezusi, pas predikimit në Galile, niset vendosmërisht drejt Jeruzalemit,
për të përmbushur, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, misionin e tij shëlbues. Nxënësit
janë të lidhur ngushtë me këtë vendim. Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që do t’i
dallojë nga turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja e tij,
fillesa e Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy mënyra:
njëra është ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve – më depërtuese e më e vërtetë.
Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po ju, kush thoni
se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj perspektive,
që ndryshon nga ajo e turmës. Njerëzia mendon se Jezusi është profet. Nuk është
pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtashëm. Është e nevojshme të hyhet
shumë më thellë, të njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja që sjell
Krishti. Edhe sot është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por duke e parë thjeshtë
nga jashtë. Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore e morale dhe
ndikimin mbi historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin, me Sokratin,
me dijetarë e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë
se ai është unik. Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga themeluesit e mëdhenj
të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar bindjet e veta.
Si atëhere, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë, Jezusi na
e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht kur
na drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë!”. Jezusi i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke
dalluar në të dhuratën e veçantë të fesë që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej
buron edhe përvoja unike e Simon Pjetrit: “Paralelizmi ndërmjet Pjetrit e Palit
është kuptimplotë, por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës historike të Simonit me
Mësuesin e Zotin e tij, që i dha qysh në fillim cilësitë e shkëmbit, mbi të cilin
do të themelonte bashkësinë e tij të re, Kishën”. Kujtojmë se në Ungjijtë sinoptikë,
shpallja e besojmës nga ana e Pjetrit pasohet gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton
mundimet e tij të afërme. Është një kumt, që e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse
nuk arrin akoma ta kuptojë Zotin. E megjithatë është një element themelor, për të
cilin Jezusi ngul këmbë me forcë. Kuptohet, prej këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon
kuptimin e vet të plotë, vetëm në se ky njeri, që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë
Biri i Hyjit. Rruga drejt lavdisë është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit
e çdo kohe, që në mënyrë të pashmangshme shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore
e jo sipas Zotit”. “Edhe sot, si në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën
e drejtë të fesë, është e nevojshme ta mësojmë nga vetë Zoti se ai është shëlbues
e se na e tregon rrugën në të cilën duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë se edhe besimtari
e ka të vështirë ta pranojë kryqin. Instinkti e shtyn t’i largohet e tunduesi, të
mendojë se do të ishte më urti të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir
të besnikërisë e të dashurisë”.Edhe sot shumkush e ka tepër të vështirë të pranojë
se Jezusi i njeh vetvetes të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk
arritën ta kuptojnë menjëherë se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë
në fe, për ta marrë vesh këtë të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim,
që lind nga pervoja e Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por
duhet të përparojë akoma për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt”.