2008-06-28 19:21:27

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Zonja Akarje dhe përhapja e Urdhërit Karmelitan në Francë".


(28.06.2008)“Jo, im zot, vajzat që do të vijnë mysafire në shtëpinë tonë, do të përgatiten për t’u bërë karmelitane. Nuk vijnë këtu për të vallëzuar!”.
“Por, e dashur, janë magjepsëse e vallëzojnë mrekullisht bukur! E pastaj, kemi sallone të mëdha, të shtruara me parket. Gjithçka është bërë pikërisht për të vallëzuar!”.
Kështu flet zoti Akarje e, tejet i lum, bën disa hapa vallëzimi, duke mbajtur për dore një nga vajzat. Zonja Akarje çon sytë nga qielli, gjysëm e kënaqur e gjysëm e zemruar. I shoqi është burrë vërtetë i pandreqshëm!
Këtë vit, më 1605, familja Akarje jeton në një situatë vërtetë të veçantë. Katër vjet më parë e zonja e shtëpisë pati një vegim, në të cilin Tereza e Avilës, reformatorja e madhe e Karmelit në Spanjë, i kërkon ta shtrijë këtë Urdhër edhe në Francë. Duke iu bindur kësaj kërkese, zonja Akarje kërkoi ndihmën e disa njerëzve me ndikim të madh në shoqëri. Në të vërtetë, ajo njihte shumë njerëz të rëndësishëm në Paris, e kjo i dha dorë ta realizonte veprën, që nisi me një vegim. Zonja Akarje është grua jashtëzakonisht e zgjuar, e sjellshme, simpatike dhe e kulturuar. Prandaj gjithë shoqërisë së lartë pariziane i pëlqen ta vizitojë shtëpinë e saj. E ja, sot ëndrra e zonjës Akarje po realizohet. I kushëriri, Pjetri de Berujè, klerik shumë i njohur, që do të bëhej kardinal, niset në Spanjë për të ftuar disa karmelitane, të cilat dëshirojnë të vendosën në Francë e të hapin një kuvend.
Në Paris shumë vajza kanë dëgjuar të flitet për Karmelin e dëshirojë të hyjnë në këtë Urdhër. Po, ç’do të bëjnë këto vajza, derisa të arrijnë karmelitanet nga Spanja, për ta themeluar? Zonja Akarje nuk ngurron fare. Ajo, i shoqi e gjashtë të bijtë, mund të ngushtohen paksa, për t’u liruar sa më shumë vend karmelitaneve të ardhshme. E në pallatin vigan Akarje vendi nuk mungon. E nuk mungon as vullneti i mirë i zotit të shtëpisë, që e ndjen veten të lum, i rrethuar siç është nga gjithë këto vajza të bukura, si drita. Ç’kënaqësi për një burrë që i pëlqejnë dëfrimet! Me që karmelitanet e ardhshme nuk e kanë veshur ende zhgunin, zoti Akarje dëshiron ta harrojë për një çast kush janë e pse janë mbledhur në shtëpinë e tij...
 







All the contents on this site are copyrighted ©.