2008-06-27 18:44:43

Programi brazilian i Radio Vatikanit kremtoi 50-vjetorin e shërbimit. Në kapelën e emitentes Meshën e kremtoi kardinali Humes.


(27.06.2008 RV)Programi brazilian i Radio Vatikanit festoi sot 50-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tij në shërbim të Kishës e të kombit. Një mysafir i jashtëzakonshëm i dha ngjyrim vërtetë festiv këtij përvjetori: kardinali Klaudio Humes, prefekt i Kongregatës për Klerin, që sot paradite kremtoi Meshën Shenjte në Kapelën e Radios sonë. Ishte një Meshë falënderimi, drejtuar Zotit, për gjithë këto vjet, e ndjekur nga personeli shumkombësh i Radios, në mikrofonet e së cilës fliten gjuhët kryesore të botës. Fliten, e edhe dëgjohen akoma, ndonëse tani bota mund të informohet përmes shumë mjeteve moderne të komunikimit. E kjo, sepse një radio e vogël mund të merret me vete edhe në xhep e mund të dëgjohet edhe atje, ku mjetet e tjera nuk funksionojnë. Prandaj është një mison i vërtetë t’ua çosh njerëzve, si ditën e Rrëshajëve, fjalën e Zotit, në të gjithë gjuhët, nga Vatikani, që është zemra e Kishës katolike e ku ndjehet fort prania e Papës, i cili i përket mbarë botës!E, pas Meshës, natyrisht pati shumë fjalime e përshëndetje si dhe një festë gazmore ndërmjet miqsh e bashkëpunëtorësh, që gjejnë gjithnjë një gjuhë të përbashkët, ndonëse flasin gjuhë të ndryshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.