2008-06-27 17:37:35

Papa ipeshkvijve të Hong-Kongut e Makaos, në vizitë ‘ad Limina: ‘Kisha nuk mund të mos e kumtojë lajmin e dashurisë së Krishtit’.


(27.06.2008 RV)“Mund të jesh kinez i vërtetë e katolik i vërtetë!”: janë fjalët e Papës në fjalimin drejtuar ipeshkvijve të Hong Kongut e të Makaos, të cilët i priti sot në vizitë ‘ad Limina’. Benedikti XVI, duke nënvizuar gjallërinë e bashkësisë dioqezane të Hong Kongut e të Makaos, uroi që të arrijë së shpejti dita kur edhe bashkëvëllezërit e Kinës kontinentale të mund të shtegtojnë lirisht drejt Romës.
“Krishti është, edhe për Kinën, mësues, bari, shëlbues plot dashuri. Kisha nuk mund të heshtë, kur duhet kumtuar ky lajm i mirë”. Kështu Benedikti XVI ripohon se ‘Hyji i jep çdo burri e çdo gruaje të drejtën për të dëgjuar kumtimin e Krishtit, për të mësuar se Krishti na deshi e dha jetën për ne. Me këtë të drejtë, përkon detyra për të ungjillëzuar. E nuk duhet harruar kurrë se çdo veprimtari e Kishës ka një përmasë themelore ungjillëzuese e se nuk mund të ndahet asnjëherë nga impenjimi për t’i ndihmuar të gjithë ta takojnë Krishtin në fe. Kjo është edhe detyra kryesore e ungjillëzimit. Duke analizuar kushtet e sotme të jetesës, në një botë që vijon të globalizohet e të sundohet nga individualizmi e shekullarizmi, Papa porositi t’i kushtohet vëmendje e veçantë formimit të meshtarëve të rinj, që duhet të jenë të aftë për t’u bërë ballë të gjitha dallgëve të kohës. Në përfundim, inkurajimi për t’u impenjuar gjithnjë më shumë, që mesazhi i krishterë i dashurisë të bëhet sa më i kuptueshëm në Hong Kong e në Makao, duke dëshmuar se mund të jesh “kinez i vërtetë e katolik i vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.