2008-06-27 17:37:44

Me kremtimin e ‘Lutjeve mbrëmësore ekumenike’ filloi Triditshi i përgatitjes për hapjen e Vitit kushtuar Shën Palit.


(27.06.2008 RV)Mbrëmë, me kremtimin e mbrëmësoreve ekumenike, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, filloi Triditshi i lutjeve të përgatitjes për hapjen e Vitit Paolin, që do të përfundojë nesër, me hapjen solemne të këtij Viti nga ana e Benediktit XVI.
I kryesuar nga abati benediktin, atë Edmund Pauer, riti mblodhi rreth Varrit të Apostullit të Popujve, autoritete kishtare e besimtarë katolikë, ortodoksë e protestantë.
Duke u drejtuar të pranishëmve një përshëndetje të përzemërt, kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, theksoi: “Viti kushtuar Shën Palit na fton t’i lexojmë e t’i meditojmë përsëri Letrat e Apostullit, për të thelluar, kështu, njohjen e dashurinë tonë ndaj Krishtit e për t’u bërë, ashtu si Shën Pali, dëshmitarë të guximshëm të Zotit, pishtar drite, që ndriçon udhët e njerëzimit e mjet që i bashkon të krishterët e ndarë në një gjë të vetme, që bota të besojë.Ju uroj një Vit të bekuar Paolin – tha në përfundim kardinali Kasper – vit që nuk mund të mos jetë edhe, e kryekreje, ekumenik!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.