Kardinali Agostino Valini është vikar i ri i Papës për dioqezën e Romës.
(27.06.2008 RV)Benedikti XVI pranoi
kërkesën e kardinalit Kamilo Ruini për t’u larguar nga detyra e mëkëmbësit të përgjithshëm
të dioqezës së Romës dhe kryepriftit të Kryebazilikës Papnore Lateranense, me që mbushi
moshën e duhur për pension. Në vend të tij, Papa thirri kardinalin Valini, 68 vjeç,
deri tani Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike. Sot paradite, në
Sallën Klementine në Vatikan, Papa i priti të dy kardinajtë, së bashku me zyrtarët
e Vikariatit. Gjatë kësaj audience, Benedikti XVI e falënderoi kardinalin Ruini për
punën e kryer, ndërsa kardinalit Valini i uroi suksese në detyrën e re. Zgjuarësi
e urti: këto – tha me mirënjohje Benedikti XVI, qenë dhantitë që kardinali Ruini vuri
në shërbim të Papës, të Kishës e të Selisë së Shenjtë. Një kontribut i shquar, ky
i Hirësisë së Tij, me të cilin – kujtoi Ati i Shenjtë - kam bashkëpunuar në shumë
raste e posaçërisht me rastin e takimeve kishtare të dioqezës, organizuar për t’iu
përgjigjur kërkesave urgjente të punës baritore në rrethanat shoqërore e kulturore
të Romës. Pastaj Benedikti XVI iu drejtua Vikarit të tij të ri për dioqezën e Romës: “Ju
përshëndes me përzemërsi të madhe e ju mirëpres në detyrën e re, të cilën jua besoj,
duke pasur mirë parasysh përvojën tuaj baritore, të fituar më parë si ipeshkëv-ndihmës
i Dioqezës së Napolit e më pas, si ipeshkëv i Albanos, detyra të kryera me urti e
zotësi”. Papa shprehu besimin e plotë se kardinali Valini, në përpjekjen për
t’i shërbyer sa më mirë Kishës e Qytetit të Amshuar, do të ketë edhe mbështetjen e
atyre, që punojnë në Vikariatin e Romës.