2008-06-26 18:04:56

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Turibi i Mogrovejos, ipeshkvi që hodhi farën e shenjtërisë në Peru".


(26.06.2008 RV)RealAudioMP3 Mbreti i Spanjës, Filipi II nuk është nga ata sovranë që i lënë pas dore punët e fesë, përkundrazi! Kur merr vesh lajmin e vdekjes së Jeronimit të Loaisës, që ishte ipeshkëv i Limës, kryeqytet i Perusë, shqetësohet pa masë. Duhet të gjejë një shërbëtor të vërtetë të Hyjit për ta zevendësuar! E di mirë se nga zgjedhja e tij varet ardhmëria e krishtërimit në mbarë Amerikën Jugore. Pas shumë kërkimesh, zgjedh një laik 39 vjeçar, Turibin e Mogrovejos, gjykatës në Granadë, ku shikohej nga të gjithë si njeri i shenjtë.
“Po Turibi nuk është as diakon e aq më pak meshtar!”, protestojnë ata, që do të dëshironin të zgjidheshin në vendin e tij.
“S’ka pikë rëndësie!”, përgjigjet Filipi II. “Po Krishti, a nuk zgjodhi ca peshkatarë e një tagrambledhës si dishepuj të vet?”.
Pas pak muajsh gjykatësi shugurohet meshtar e pastaj edhe ipeshkëv. Kështu, më 1580, niset për në Peru, ku në këtë periudhë Kisha është në gjendje vërtetë të vajtueshme. Shumë nga meshtarët e ipeshkvijtë, përfitojnë nga pozita e tyre, për t’u zhvatur para të varfërve; të tjerë akoma, kalojnë një jetë të turpshme, të zhytur siç janë në vese, pa frikën e Zotit.
Turibi merr nga papa lejën t’i çkishërojë menjëherë, në se nuk do të pranojnë të ndryshojnë rrugë e të jetojnë sipas mësimeve të Ungjllit të cilat, në gojën e tyre, bëhen fjalë krejt pa kuptim. Sepse Ungjilli kryesisht duhet jetuar! Çkishërim do të thotë përjashtim nga Kisha, heqje e së drejtës për ushrimin e meshtarisë. Prej këndej, meshtarët që çkishërohen, nuk mund ta sigurojnë më jetesën duke shfrytëzuar Kishën... Prandaj shumkush ka frikë prej tij. Ipeshkvit shenjt i duhet të kapërcejë shumë pengesa e rreziqe. E padisin, e kërcënojnë, e mbulojnë me shpifje, por ai nuk heq dorë nga veprimtaria për spastrimin e Kishës nga njerëzit e padenjë.
Një gjë tjetër, që e shqetëson pa masë, është gjendja e indiosve, posaçërisht e atyre që jetojnë në kushte të një braktisjeje të plotë. Indianët inkas nuk kanë as dispanseri e as spitale për t’u mjekuar. Turibi vendos të vërë taksa, për të siguruar paratë që i duhen për ndërtimin e tyre.
Gjatë ipeshkvnisë së tij bën tre shtegtime të vështira baritore. Peruja është vend malor, plot me gremina, me pyje të papërshkueshme e liqene plot me të papritura. Duke rrezikuar jetën, Turibi shkel në fshatrat më të humbura, në këmbë, mbi shpinë të mushkës, mbi lundrat e vendasve… Kështu, gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të ipeshkvnisë, përshkon dyzetmijë kilometra udhë.Falë veprimtarisë së tij e sidomos, forcës së shembullit të tij, në Peru shumë njerëz ecin në rrugën e shenjtërisë. Mjafton të kujtojmë Rozën e Limës, Martin de Porres, Gjonin Maçias e Marianën de Paredes…
Turibi, si shenjt i vërtetë, e lëvroi me kujdes truallin, hodhi farën e fara dha shumë fryt…







All the contents on this site are copyrighted ©.