2008-06-25 19:16:43

Në mesazhin drejtuar asamblesë së Federatës Biblike katolike, në Tanzani, Papa uron që Afrika të gjejë në Fjalën e Zotit, burimin e drejtësisë e të pajtimit.


(25.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Uroj që zemrat tuaja të udhëhiqen gjithnjë nga Shpirti Shenjt, përmes forcës bashkuese të Fjalës së Hyjit”: ky është një nga fragmentet më të forta të Letrës së Benediktit XVI drejtuar asamblesë së 7-të të Federatës biblike katolike, që u hap dje në Dar-es-Salaam të Tanzanisë e që do të vijojë deri më 3 korrik. Në mesazhin, adresuar imzot Vinçenco Palias, Kryetar i Federatës, Ati i Shenjtë nënvizon se ky takim është rast i zgjedhur për të dëgjuar së bashku Fjalën e Hyjit e për të përtëritur shërbimin në Kishën, që është e thirrur të shpallë Ungjillin e paqes”.
E pikërisht “Fjala e Hyjit, burim pajtimi, drejtësie e paqeje” – është edhe tema e Asamblesë së 7-të plenare të Federatës biblike katolike, që sot numron 327 anëtarë, nga 129 vende të ndryshme, themeluar nga Papa Pali VI në vitin 1969 me qëllim që, në përkim me Koncilin II të Vatikanit, t’ua lehtësojë njerëzve leximin dhe kuptimin e Shkrimit Shenjt.
Duke pasur parasysh se po afrohet dita kur do të mblidhet Sinodi mbi Fjalën e Hyjit, e pyetëm kryetarin e Federatës biblike, ipeshkvin e Terni-Narni-Amelies, imzot Vinçenco Palian, mbi lidhjen ndërmjet kësaj asambleje e Sinodit:

Përgjigje: - Asambleja lidhet ngushtë me dy ngjarje të mëdha: Sinodin kushtuar Fjalës së Hyjit e Sinodin mbi pajtimin, drejtësinë e paqen në Afrikë. Është vazhdimësi logjike. Kemi bindjen se rizbulimi i forcës së Fjalës së Zotit nga ana e të gjitha kishave e të gjithë të krishterëve, i jep hov të ri gjithë jetës së Kishës. Sa më shumë që rizbulohet Fjala e Hyjit, aq më shumë kishat dhe të krishterët bëhen kripë e tokës e dritë e botës, tharm i një humanizmi të ri. E Afrika ka shumë nevojë për një tharm të tillë. Një aspekt domethënës, që karakterizon asamblenë tonë, është perspektiva ekumenike. Në takim janë të pranishëm, si vëzhgues, përfaqësuesit më të lartë protestantë të Shoqatës së bashkuar biblike, që pranë e pranë me Federatën biblike katolike, po impenjohen për përhapjen e Biblës.







All the contents on this site are copyrighted ©.