2008-06-25 19:18:18

Notë e Sallës vatikanase të Shtypit lidhur me lajmet e përhapura nga mediat për zhdukjen e Manulea Orlandit: “Akuza pa asnjë bazë kundër imzot Marçinkus”.


(25.06.2008 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë ndërhyn, me një notë, në historinë e ngjarjes që lidhet me zhdukjen e së resë Manuela Orlandi, e cila riduket në faqet e shtypit italian. “Na çudit pa masë – lexohet në komunikatë - mënyra si përhapen me lehtësi gazetareske, lajme të rezervuara, që nuk i nënshtrohen kurrfarë verifikimi e që vijnë nga dëshmi pa kurrfarë vlere, në mos po, të dyshimta.
Ringjallet kështu dhimbja e familjes Orlandi, pa kurrfarë respekti për njerëz që vuajnë shumë e prej kohe”.
Në komunikatë nënvizohet edhe se po përhapen akuza fyese, pa asnjë bazë, kundër imzot Marçinkus, që ka vdekur prej kohe e që, prandaj, nuk mund të mbrohet. (Kujtojmë se Imzot Pol Marçinkus, vdekur më 20 shkurt 2006, ishte drejtor i IOR-it, Bankës së Vatikanit, nga viti 1971 deri në vitin 1989).
Salla vatikanase e Shtypit ripohon se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të ndërhyjë në kompetencat e gjykatës për zbatimin e ligjit, në përpjekjen për të verifikuar faktet e përgjegjësitë. Por njëkohësisht nuk mund të mos shprehë keqardhjen e thellë dhe të mos i dënojë mënyrat që pëdoren nga informacioni, të cilat synojnë më shumë të bëjnë sensacion, sesa të respektojnë kërkesat, seriozitetin dhe etikën profesionale.








All the contents on this site are copyrighted ©.