365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Jezuiti Mateo Riçi çon
në Kinë kulturën e krishterë evropiane'.
(25.08.2008 RV)Mure që vijojnë
për mijëra kilometra e që vende-vende janë shumë të larta: e kemi fjalën për Murin
e Madh kinez. Një perandor, i padukshëm, i mbyllur në Pekin, pas ledheve të një pallati
me emër, që flet vetë: ‘Qyteti i ndaluar’… Gjithçka të bind se ky vend nuk ia hap
lehtë portat të huajve. Por Shoqëria e re e Jezusit, themeluar nga Injaci i Lojolës,
vendos ta pranojë këtë sfidë, aty nga fundi i shekullit XVI. Në vitin 1582, jezuiti
Mateo Riçi, zbarkon në Makao. Zbulon, kështu opinionin e kinezëve për qytetërimet
e tjera. Sipas tyre, të gjitha qytetërimet jashtë Kinës janë barbare, popullsi injorante
e të pagdhendura. Nuk mund ta kuptojnë sesi të krishterët besojnë në “Zotin e qiellit”.
Që paskej krijuar edhe krimbin më të vogël; një Zot që është pranë njerëzve, më shumë
se ati e se nëna, të cilin të krishterët e adhurojnë para sundimtarëve (dmth perandorit).
Për kinezët këto koncepte janë të pakonceptueshme. E pra disa intelektualë kinezë
i admirojnë njohuritë e thella të Mateo Riçit e jo më pak, edhe dashurinë e tij për
Krishtin. Shumë kthehen në fenë e krishterë. Ndërmjet tyre, një figurë tepër e rëndësishme,
Pal Ksu Guangqi, që bashkëpunoi me Atë Riçin për redaktimin e librave të tij në gjuhën
kineze. Mateo e shikon qartë se për të ngjallur interesin e kinezëve, duhet t’u ngjajë
atyre. Prandaj mëson gjuhën e tyre, studion librat e mendimtarëve kinezë e vendos
të ndërrojë edhe pamjen: lë mjekërr e vishet si kinez. Përveç të tjerave, dëshiron
t’u dëshmojë kinezëve se të huajt nuk janë barbarë, përkundrazi, kanë njohuri e teknika,
të cilat janë tejet të panjohura për ta… Kështu sjell nga Evropa sende krejt të reja
për kinezët. I ngarkuar me orë, harta të botës, libra e deri edhe me një piano
të vogël, në vitin 1600 merr pasaportën për Pekin. Pasi kapërcen shumë pengesa, më
21 janar 1601, së bashku me shokët, pritet nga perandori, që mbetet i mahnitur nga
këta njerëz dhe u jep lejën të vendosen në kryeqytet. Pikërisht këtu shenjti i ardhshëm
misionar, do të kalojë vitet që i kishin mbetur për të jetuar e edhe do të vdesë,
në gjirin e një bashkësie të krishterë kineze. Më pas të krishterët do të dëboheshin
nga Kina. Në të vërtetë, asnjë prej tyre nuk e pati përvujtërinë e Mateo Riçit. Ndoshta-ndoshta,
para se të punohet për t’i kthyer të tjerët në fe, duhet të kthehesh ti vetë e t’i
kuptosh të tjerët… Jezuitët pranuan t’i përshtaten Kinës.