2008-06-24 16:31:36

U hap në Turqi Viti kushtuar Shën Palit. Intervistë me imzotin Luigji Padoveze


(24.06.2008 RV)RealAudioMP3 Të dielën e kaluar Kisha katolike në Turqi hapi Vitin kushtuar Shën Palit me një kremtim ekumenik, kryesuar nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Në ritin, kremtuar në Tars, vendlindje e Apostullit, në Kishën-muze, kushtuar Shën Palit, morën pjesë ipeshkvijtë e Turqisë si dhe përfaqësues të konfesioneve të tjera të krishtera. Me domethënie të madhe fetare, ky vit kushtuar Apostullit të Popujve, siç na e shpjegon, në mikrofonin tonë, imzot Luigji Padoveze, kryetar i Konferencës Ipershkvnore të Turqisë:

Përgjigje: - Domethënia ekumenike është tepër e qartë: Pali është Apostull i të gjithë të krishterëve, prandaj është e natyrshme të kremtohet, ndonëse nisma lindi me dëshirën e Atit të Shenjtë, pra brenda Kishës katolike. Përsa i përket karakterit ndërfetar, duhet të vemë mirë në pah vlerat humane, të pranishme në mësimet e Shën Palit, që i përkasin çdo njeriu vullnetmirë.

Pyetje: - Është një rast që vlen edhe për të nënvizuar situatën në të cilën jetojnë katolikët në Turqi. Imzot Padoveze, gjatë këtij viti, shumë njerëz do të vijnë për shtegtim në Turqi, për të përshkuar udhët, në të cilat Shën Pali la gjurmë të pashlyeshme. Ç’dëshironi t’u thoni atyre, që tashmë kanë vendosur të shkelin në këto troje?

Përgjigje: - Që të vijnë si shtegtarë, e jo si turistë, dmth të vijnë me shpirtin e njeriut, i cili dëshiron të fitojë përvojën e fesë, në sa shkelë në këto troje kaq të pasura me kujtime. Ky është një nga aspektet më të rëndësishme që duhet nënvizuar përsa u përket të gjitha shtegtimeve mbi gjurmët që la Shën Pali, kudo që predikoi Krishtin. E, natyrisht, ai që vjen në këtë vend, të japë edhe dëshmi, duke u treguar të gjithëve se feja në botën e krishterë është e gjallë, se ka shumë njerëz që i mbrojnë vlerat fetare e që janë gati t’i kundërvihen opinionit, sipas të cilit krishtërimi e perëndimi janë e njëjta gjë: perëndimi, i korruptuar e krishtërimi, fe e korruptuar. Duhet dëshmuar se nuk është aspak kështu!

Pyetje: - Për bashkësinë tuaj në Turqi , ky është rast tepër i posaçëm. Ç’fryte prisni prej tij?

Përgjigje: - Frytet që presim në bashkësinë tonë të krishterë në Turqi, kanë të bëjnë në radhë të parë me thellimin e vetëdijes së identitetit të krishterë, në lidhje të ngushtë me shumë shokë në fe, që vijnë këtu me shpirtin e besimtarëve për ta nderuar Shën Palin. Mendoj se nga shtegtarët mund e duhet ta presim edhe këtë dëshmi, që të na japë forcë për t’i kapërcyer vështirësitë jo të pakta, përballë të cilave ndodhemi çdo ditë.

Pyetje: - Mund të na cekni ndonjë nga këto vështirësi?

Përgjigje: - Është gjithnjë problemi themelor: mosnjohja e Kishës sonë si realitet. Në Turqi Kisha katolike ‘nuk ekziston’; ‘nuk ekzitojnë’ famullitë, ‘nuk ekziston’ Konferenca Ipeshkvnore, e kjo natyrisht ka pasoja të rënda, që burojnë nga mosnjohja juridike. Pra, kryesisht, problemi lidhet ngushtë me këtë situatë aspak normale.

Pyetje: - Imzot Padoveze, Kisha e Shën Palit në Turqi, ku sivjet u hap Viti kushtuar Apostullit të Popujve, vijon të jetë muze shtetëror, apo jo?

Përgjigje: - Ngulim këmbë pambarimisht që të krishterëve t’u njihet e drejta të kenë një vend kulti në Tars, ku të mund të kremtojnë shtegtarët e shumtë që do të vijnë për Vitin kushtuar Apostullit. Kjo kërkesë është përsëritur disa herë nga ana e Konferencës ipeshkvnore turke, e Selisë së Shenjtë, e qeverisë gjermane e edhe nga ana e Konferencës ipeshkvnore gjermane, kryesuar në këtë rast, nga kardinali i Këlnit, Maisner.







All the contents on this site are copyrighted ©.