2008-06-24 16:38:44

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Dyzet Orët: maratona e lutjes".


(24.06.2008 RV)RealAudioMP3 Shfaqje e pabesueshme! Kremtohen Rrëshajët e vitit 1598 e sot burra e gra, pleq e fëmijë, fisnikë e fshatarë, banorë të Milanos, i kërkojnë falje njëri-tjetrit për fyerjet që kanë bërë e për grindjet, që i kanë përçarë. Premtojnë se do të bëjnë të pamundurën, që në qytetin e tyre të mbretërojë paqja.
Gjithçka ka nisur nga një dyzetorëshe. Kur këmbanat e të gjitha kishave ranë njëherësh. Në këtë çast popullsia u gjunjëzua e mbarë qyteti tha njëzëri pesë Atyna e pesë FalemiMari, për të nderuar pesë plagët e Krishtit. Pastaj filluan procesionet: nën dritën e qirinjve, milanezët ndjekin të Shenjtnueshmin Sakrament, Hosten e shuguruar. Disa prej tyre ecin zbathur, të tjerë kanë veshur rroba varfanjakësh, për të bërë pendesë e, në fund, të gjithë marrin pjesë në Meshën Shenjte kushtuar një ndjeti të posaçëm: të çojnë paqen në zemrat e njerëzve.
Burra e gra e fëmijë luten për dy ditë me radhë, ndjekin e adhurojnë të Shenjtnueshmin Sakrament. Tani kthehen të gjithë në shtëpi, sepse adhurimi i Katërdhjetë orëve përfundoi. Premtuan se do të mundohen që në jetën e tyre të mbretërojë paqja e Krishtit e se do të përpiqen t’i mbajnë premtimet ditë për ditë.
Ka më se gjashtëdhjetë vjet që milanezët i kremtojnë Dyzet Orët çdo vit me rastin e Pashkëve, të Rrëshajëve, të Ngjitjes së Krishtit në Qiell e të Krishtlindjes. Por në vitin 1598 kremtimi ndryshon shumë, në krahasim me atë të zanafillës. Bëhet më solemn: adhurohet i Shenjtnueshmi, kryhen sjelle pendestare, bëhen ndjete për paqen, kremtohen procesione me qirinj të ndezur, që e kthejnë natën në ditë. Nuk është më lutje individuale, e heshtur, e besimtarëve. Tani reflektimin e atyre që mblidhen për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament e kryeson një predikatar. Në homelinë e tij nënvizon nevojën e pendesës së sinqertë e të shpërblimit të mëkateve. Dyzet Orët kthehen në një rast të çmuar për të kërkuar falje, për të falur e për të rrëfyer mëkatet, duke u pajtuar kështu me Hyjin e me të afërmin. Në këtë ditë të ndritshme pranverore, predikatari e milanezët, duke u kthyer në shtëpi, nuk e dinë se lutjet që sapo përfunduan do të sjellin fryte për shumë shekuj. Dyzet Orët përhapen… në Itali e në Evropë, në botë e në kohë! E vijojnë edhe sot e kësaj dite: ndër të gjitha Kishat e Botës besimtarët ftohen për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament!







All the contents on this site are copyrighted ©.