2008-06-23 17:56:34

Më 28 qershor Benedikti XVI do të hapë Vitin Paolin në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, me pjesëmarrjen e Patrikut ekumenik, Bartolomeu I.


(23.06.2008RV)RealAudioMP3 Të shtunën e ardhshme, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI do të kryesojë, duke nisur nga ora 18. 00, në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, kremtimin e Lutjeve të para mbrëmësore të Solemnitetit, me rastin e hapjes së Vitit Paolin. Në kremtim – sipas njoftimit të Zyrës së kremtimeve liturgjike – do të marrin pjesë edhe Patriku ortodoks ekumenik, Bartolomeu I, si dhe përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera.
“Është një ngjarje e madhe shpirtërore e baritore, që mund e duhet të përforcojë në shpirtin e besimtarëve besimin në Jezu Krishtin, i cili vijon të na bëjë thirrje ta predikojmë e ta dëshmojmë Ungjillin e tij pa frikë e pa droje”. Këtë theksoi dje Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke sintetizuar me këto fjalë, vlerat e Vitit Paolin. Është një Vit jubilar për të cilin Papa foli më 28 qershorin e vitit të kaluar në bazilikën e Shën Palit jashë Mureve. “Apostulli i Popujve, i impenjuar posaçërisht për të pëhapur Lajmin e Mirë në të katër anët e botës - pati pohuar Papa me këtë rast – e shkriu tërë jetën për unitetin dhe harmoninë ndërmjet gjithë të krishterëve”. E më pas Benedikti XVI uroi që Shën Pali të na prijë e të na mbrojë në këtë kremtim që të kujton dymijë vjet krishtërim, duke na ndihmuar të ecim përpara në kërkimin e përvujtë e të sinqertë të bashkimit të plotë të të gjitha gjymtyrëve të Korpit mistik të Krishtit”.
Hollësitë e programit të Vitit kushtuar Shën Palit, mund t’i mësoni duke hapur kanalin përkatës të internetit, realizuar në katër gjuhë: italisht, anglisht, frëngjisht e spanjisht – e jo më pak, edhe në faqen tonë të internetit.
Me rastin e Vitit jubilar, Shtëpia Botuese e Vatikanit ka përgatitur një sërë vëllimesh të nevojshme për veprimtarët baritorë e edhe për besimtarët, për meditimin e tyre personal si dhe për kremtimet.
Ndërmjet tyre, vëllimi i Benedikti XVI “Mendime për Palin”: meditime të vogla të shkëputura nga homelitë, mesazhet e fjalimet e Papës kushtuar “Mendimeve shpirtërore” dhe ‘Mendimeve Mariane’.
Viti Paolin do të kremtohet edhe në trojet shqiptare, sidomos në dioqezën e Tiranë-Durrësit, e cila ia ka kushtuar katedralen kryesore, atë të Kryeqytetit, pikërisht Shën Palit Apostull. Shqipëria e shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me Apostullin e Popujve, pasi mendohet se janë ungjillëzuar pikërisht prej tij. Vetë Shën Pali, në ‘Letrën drejtuar Romakëve’ shkruan se e ka përhapur Ungjillin e Krishtit “nga Jeruzalemi e përqark në Iliri” (Rom 15,19). Edhe në trojet shqiptare, Viti Paolin do të fillojë më 28 qershor. Mesha kryesore do të jetë ajo që do të kremtohet në orën 11, në Kishën Katedrale kushtuar Apostullit, në Tiranë. Pikërisht katedralja e Tiranës është caktuar nga Vatikani si kisha ku besimtarët shqiptarë mund të marrin ndjesën e plotë gjatë Vitit Paolin. Kushtet për këtë, sipas Dekretit të Pendestarisë Apostolike, janë rrëfimi, kungimi dhe lutja sipas ndjetit të Papës.
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka formuar një komision të posaçëm kombëtar për të organizuar disa veprimtari gjatë vitit kushtuar Shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.