2008-06-23 19:15:41

Mesazh i Këshillit Papnor të emigrantëve për Ditën Botërore të Turizmit 2008: ‘Planeti shpëton edhe përmes sjelljeve të turistëve’.


(23.06.2008 RV)“Të kultivohet etika e përgjegjësisë’ – kjo është thirrja e kardinalit Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët e endacakët, në mesazhin që u publikua sot për Ditën Botërore të Turizmit 2008. Dita, kushtuar temës: “Turizmi përballon sfidën e ndryshimit klimaterik”, do të kremtohet me 27 shtatorin e ardhshëm.
Turistët janë të thirrur ta shikojnë me përgjegjësi të plotë problemin e ndryshimit klimaterik, qe përfshin mbarë Planetin. Jemi përballë një udhëkryqi – vëren kardinali Martino. Para nesh hapen rrugët e së mirës, por edhe të së keqes, si na mëson Bibla. Por, për fat të keq, vërejmë – shton kryetari i dikasterit vatikanas – marrjen me vonesë të shumë vendimeve, edhe nga popujt më të përparuar në fushën ekologjike globale, ashtu si dhe ngurrimin e atyre që lëkunden, kur është fjala për ratifikimin e protokolleve ndërkombëtare, të cilat kanë si synim ruajtjen e ambientit dhe reduktimin e anhidridit karbonik.
Prandaj Hirësia e Tij kërkon që të japin kontributin e vet të gjithë, edhe turistët, sepse vetëm kështu mund t’i kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së Planetit.Kujtojmë se sot më se 900 milionë njerëz bëjnë udhëtime turistike jashtë vendit të tyre, ndërsa për vitin 2020 parashikohet që numri i tyre të arrijë në 1 miliard e gjysëm, pa llogaritur turistët që lëvizin brenda vendit të vet. Udhëtojnë, pra, duke përdorur, për të lëvizur nga një vend në tjetrin, karburante që ndotin mjedisin, ndërsa hotelet dhe shtëpitë e pritjes, ku pushojnë, me impiantet e ajrit të kushtëzuar, lëshojnë në atmoseferë doza të mëdha gazesh dëmtuese.
Turisti ndodhet para një pyetjeje, së cilës duhet t’i japë përgjigje konkrete plot përgjegjësi me sjelljen e vet: “Është turist kundër Tokës, apo në mbrojtje të Tokës?”.
Sidoqoftë, ka rëndësi të kuptojmë se çdo gjë ka një kufi e t’i kundërvihemi progresit të çmendur me çdo kusht, pasjes e konsumit, me çdo çmim. Në këtë mënyrë – përfundon mesazhi – zhvillohet kultura e turizmit që e bën turistin të kuptojë se ka përgjegjësi edhe përballë ndryshimeve klimaterike.







All the contents on this site are copyrighted ©.