2008-06-21 16:11:38

Lutje në Romë për emigrantët e mbytur në det, pranë Italisë. Me ne, Alesandro Kalkanjo, ekspert emigracioni.


(22.06.2008 RV)RealAudioMP3 Të enjten e kaluar në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere të Romës u zhvillua një lutje në kujtim të 140 emigrantëve, që kohët e fundit gjetën vdekjen në det, ndërsa po vinin si klandestinë në Itali, dhe të të gjithë emigrantëve që kanë vdekur në udhëtim drejt Evropës. Siç dihet mirë, ndërmjet tyre ka edhe shumë shqiptarë. Lutja u bë në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, që u kremtua të premten, në një klimë evropiane aspak të favorshme për emigrantët. Në fakt, po javës që kaloi, Europarlamenti miratoi një direktivë mbi riatdhesimin e emigrantëve të parregullt. Sipas Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian, COMECE, direktiva nuk merr parasysh gjendjen në të cilën ndodhen shumë prej tyre. Të dëgjojmë Alesandro Kalkanjon, ekspert i emigracionit për COMECE-n:
Përsërisim se nevoja e një mjeti ligjor përsa i përket riatdhesimit të emigrantëve – që ne preferojmë t’i quajmë të parregullt e jo ilegalë – mbetet, por mbeten edhe shqetësimet e mëdha të shprehura në letrën e parë, që i dërguam më 8 janar, presidentit të Bashkimit Evropian, kryetarit të Komisionit Evropian dhe kryetarit të Parlamentit Evropian. Shqetësime këto, që u përsëritën më pas me letrën e 30 majit. Pra, mbetet vlerësimi negativ përsa i përket burgosjes administrative të emigrantëve të parregullt, e cila në disa raste mund të arrijë deri në 18 muaj, dhe jemi kundër ndalimit të rihyrjes në Bashkimin Evropian për pesë vjet, që në disa raste mund të arrijë edhe më tepër. Në këtë kuadër, na shqetëson ndikimi negativ mbi të drejtën për të kërkuar strehim politik.
Shumica e europarlamentarëve që votuan për direktivën, nënvizojnë se dokumenti respekton të drejtat e njeriut, pasi parashikon edhe që emigrantët t’i drejtohen gjyqit për të kundërshtuar vendimin e riatdhesimit…
Mendojmë se mund të bëhej më shumë për të mbrojtur dinjitetin e njeriut. Kemi nënvizuar edhe se hapësira për riatdhesimin vullnetar nuk është e mjaftueshme, në bazë të tekstit. Prandaj, vlerësimi mbi tekstin mbetet në thelb negativ, megjithëse nuk kemi kërkuar kurrë që direktiva të mos ekzistonte. Por mund të bëhej më shumë.
Pas këtij dokumenti, cili është skenari që krijohet?
Është një skenar për të mos u nënvlerësuar, në kuptimin që kemi të bëjmë me një mjet të nevojshëm, në një sektor shumë të rëndësishëm. Por, krijohen edhe skenarë shqetësues përsa i përket mundësisë për të përdorur rëndshëm burgosjen administrative të të parregulltëve.
Cili është urimi juaj për të ardhmen?
Që Bashkimi Evropian ta kuptojë se rruga që duhet ndjekur nuk është ekzaktësisht ajo që po ndjek në këtë moment. Nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të shpresojmë që në 27 vendet e Bashkimit Evropian të mbahet parasysh situata e emigrantëve, me kujdes të veçantë për respektimin e dinjitetit njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.