2008-06-21 16:11:17

Hallkat e zinxhirit të Shën Palit janë ekspozuar në Bazilikën romake jashtë Mureve, kushtuar Apostullit të Popujve.


(22.06.2008 RV)Hallkat e zinxhirit, që sipas traditës shekullore, ka mbajtur të lidhur në burg Shën Palin në Romë, në vitet 61-63 pas Krishtit, deri në përfundimin e procesit kundër tij, janë ekspozuar në një peshtaf artistik të ndriçuar pranë varrit të tij, në Bazilikën papnore të Shën Palit jashtë Mureve. Është relikja më e rëndësishme e Apostullit të Popujve, që mund të shihet më mirë tani nga besimtarët, pikërisht pranë elterit të rrëfimit. Deri tani, këto hallka ruheshin në një kuti prej ari e kristali në kapelën e Bazilikës benedektine, sëbashku me relike të tjera. Janë nëntë hallka, që përfundojnë në dy monedha me fytyrën e perandorit romak Neron, për të kujtuar se pikërisht në kohën e tij, shën Pali u burgos dhe vdiq si martir. Dëshmia e parë për nderimin e vargojve të burgut të Shën Palit na vjen nga Shën Gjon Krizostomi. Çdo vit, në solemnitetin liturgjik të 29 qershorit, festë e shën Pjetrit dhe e shën Palit, zinxhiri mbahet në procesion përreth Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës, nga Abati i saj. Gjatë viteve të fundit, në procesion kanë marrë pjesë edhe të krishterë ortodoksë e protestantë. Këtë vit, më 28 qershor do të jetë në Bazilikë Papa Benedikti XVI për hapjen e vitit paolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.