365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Margaret Klitrou: 'Feja
ime është punë për mua”.
(22.06.2008 RV)Përse bien këto daulle, që përhapin tinguj të shqetë nëpër rrugët
e Jorkut, në këtë mëngjes të 25 marsit 1586? Nuk kumtojnë ekzekutimin e një meshtari
katolik, siç ndodh shpesh në këto kohë të vështira, por të një gruaje: quhet Margaret
Klitrou. Rojet e çojnë në vendin e ekzekutimit. Jorku është një qytet i vogël anglez
e, natyrisht, të gjithë banorët e njohin Margaretën: është bashkëshortja e kasapit
Xhon Klitrou, nënë e një familjeje me shumë fëmijë, grua e sjellshme e gjithnjë me
buzë në gaz. Ndihmon të shoqin në dyqan, u thotë fjalë dashamire blerësve e i rrit
mirë fëmijët që i fali Zoti. E pra këtë mëngjes banorët e Jorkut nuk kanë guxim as
ta shikojnë në sy. Në se sillen miqësisht me të, rrezikojnë jetën e tyre. Po pse gjithë
kjo potere e gjithë ky rrezik? Margareta është katolike, ndërsa mbretëresha e Anglisë,
Elizabeta, i urren me gjithë shpirt katolikët: ka vendosur t’i dënojë me vdekje të
gjithë ata, që nuk duan të hyjnë në Kishën e Anglisë, të shkëputur nga Roma, themeluar
nga i jati, Enriku VIII. Margareta bën pjesë në grupin e këtyre njerëzve ‘kryeneçë’,
që nuk pranojnë të heqin dorë nga feja katolike. Nuk i duket aspak e arsyeshme të
lutet e të besojë në Hyjin, ashtu si dëshiron mbretëresha. Ç’punë ka mbretëresha me
lutjet e saj, me besimin e saj? Margareta e do Kishën katolike, që e mbron pavarësinë
e vet e nuk pranon t’u nënshtrohet sundimtarëve të botës. Ashtu si i duket krejt e
papranueshme që një mbretëreshë të vetshpallet edhe kryetare e fesë. Kisha qëndron
mbi mbretërit, nuk është në duar të tyre. Kisha nuk është në duar njerëzore, qofshin
edhe mbretërore. Kështu Margareta mbeti katolike: fshehu priftërinj në shtëpinë e
vet e vijoi të merrte pjesë fshehurazi në kremtimin e Meshës Shenjte. Deri në ditën
kur e zbuluan. Margareta e rëndoi më keq gjendjen, duke mos pranuar të marrë pjesë
në gjyqin kundër saj, i cili e dënoi si kryengritëse. Deklaroi: “Me që jam e pafajshme,
nuk më duket e arsyeshme të gjykohem: feja ime, është punë për mua!”. Për më tepër
druhej se do t’ia çonin edhe familjen kundra: prej gjykatësve mund të pritej gjithë
e zeza. Ata mund t’i kërcënonin të bijtë të dëshmonin në gjyq se kishte thënë fjalë
të pathëna e kishte bërë gjëra të paqena. Sidoqoftë, gjykata e konsideroi mungesën
e saj si fyerje të rëndë. Kështu Margareta u dënua, pa pasur asnjë mundësi të mbrohej.
E megjithatë, ajo ecte krejt e qetë drejt vendit, ku e priste tortura e vdekja. Buzagaze,
si gjithmonë. E ndërsa nisën ta torturonin, ajo gjeti forcë të përsëriste fjalët e
shqiptuara nga Zoti i saj në kryq: “Fali, o Atë, se nuk e dinë çfarë bëjnë!”. Nuk
u pendua për asgjë: as pse i qëndroi besnike Kishës katolike e as pse dëgjoi zërin
e ndërgjegjes së vet, në vend që të dëgjonte zërin e mbretëreshës!