2008-06-20 17:17:15

Kardinali Bertone në Bjellorusi: dialogu ekumenik rruga për zgjidhjen e problemeve të historisë me frymë vëllazërore


(20.06.2008 RV)Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, protagonist i shumë takimeve me Kishën dhe autoritetet bjelloruse. Dialogu ekumenik është rrugë për të zgjidhur problemet e historisë me frym ë vëllazërore, ka theksuar kardinali, i cili ndodhet në Bjellorusi që nga dita e mërkurë.
Sot paradite, ai mbajti një fjalim para ipeshkvijve dhe u takua me kreun e shtetit, Llukashenko. Më pas mori pjesë në një drekë të shtruar për nder të tij nga ministri i jashtëm.
“Barinj të grigjës” në një vend dhe në një periudhë historike në të cilën nuk mungojnë vështirësitë, e para e të gjithave ajo e numrit të vogël të meshtarëve, diakonëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë kishtarë: kështu u foli kardinal Bertone ipeshkvijve bjellorusë, duke u çuar inkurajimin e Papës Benedikti XVI. Duke i këshilluar të punojnë bashkarisht me meshtarët e tyre, kardinali nguli këmbë në dialogun ekumenik pa paragjykime. Ai është mjeti më i përshtatshëm për të zgjidhur problemet që katolikët kanë me ortodoksët në Bjellorusi, theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit. Gjendja është e ndërlikuar edhe për shkak se Kisha katolike po pret kthimin e pasurive të konfiskuara nga regjimi sovjetik, në veçanti vendet e kultit. Dje pasdite, duke takuar bashkësinë greko-katolike, të papranuar nga kisha ortodokse, e cila i konsideron pasuritë e saj si të vetat, prelati i falenderoi për besnikërinë e tyre ndaj Papës dhe Selisë së Shenjtë.
Përsa i përket qeverisë bjelloruse, në takimin me autoritetet, kardinali Bertone theksoi se Selia e Shenjtë ka për qëllim t’i propozojë Bjellorusisë jo vetëm bashkëpunim dypalësh, por edhe në fushën ndërkombëtare në favor të paqes ndërmjet popujve dhe të përparimit të vërtetë të njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.