2008-06-20 16:05:08

Duke shpallur Ungjillin, ofroni një mesazh shprese njerëzimit sot: kështu Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve të Kongresit të radiove katolike


(20.06.2008 RV)Duke shpallur të Vërtetën ungjillore i ofroni mesazhin e shpresës njerëzve të kohës sonë: kështu u tha sot Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve të Kongresit ndërkombëtar të Radiove katolike, i cili përfundon nesër në Universitetin Papnor Urbanian të Romës.
Është e rëndësishme – u tha Ati i Shenjtë gazetarëve, që i priti në audiencë në Sallën Klementina në Vatikan – që Fjala e Zotit të bëhet tërheqëse, nëpërmjet programeve radiofonike, të cilat prekin zemrën e njerëzve të kohës sonë. Shërbimi i operatorëve radiofonikë është i rëndësishëm, sepse u lejon dëgjuesve të njohin më mirë Krishtin, të dëgjojnë Papën dhe ta duan Kishën. Format e shumta të komunikimit, nënvizoi Papa Racinger, tregojnë qartë se njeriu është bërë për të jetuar sëbashku me të tjerët, në marrëdhënie shoqërore me ta:
“E këtë e bën sidomos përmes fjalës. Në thjeshtësinë e në varfërinë e saj në dukje, fjala, duke bërë pjesë në gramatikën e përbashkët të gjuhës, është një mjet, që realizon aftësinë e njerëzve për të krijuar marrëdhënie ndërmjet tyre”.
Por në ç’mënyrë një radio katolike e ndihmon Kishën dhe përhapjen e Ungjillit? Papa reflektoi për këtë në pjesën e shqiptuar në frëngjisht:
“Për arësye të lidhjes së saj me fjalën – theksoi – radioja merr pjesë në misionin kishtar, por njëkohësisht, bën të lindë një mënyrë e re për të jetuar në Kishë e për të qenë Kishë”. Format e shumta të komunikimit mund të jenë një dhuratë e Zotit në shërbim të zhvillimit të personit e të krejt njerëzimit. Radioja, përmes muzikës e fjalës, mund të informojë dhe të argëtojë, të shpallë e të denoncojë, por gjithnjë duke respektuar realitetin dhe duke pasur parasysh perspektivën e edukimit me të vërtetën e me shpresën. E pastaj, Papa shtoi:
“Jezu Krishti na dhuron të Vërtetën mbi njeriun e për njeriun dhe, duke u nisur nga kjo e Vërtetë, na jep shpresën për të tashmen e të ardhmen e personave dhe të botës”. Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë inkurajoi radiot katolike ta vazhdojnë misionin e tyre në shërbim të Fjalës së Zotit. Në spanjisht, duke cituar Enciklikën “Spe Salvi”, Benedikti XVI vuri theksin mbi origjinalitetin e komunikimit të krishterë:
“Në fakt, Ungjilli nuk është vetëm komunikimi i gjërave që duhen ditur, por është ai komunikim, i cili prodhon ngjarje e ndryshon jetën”. Ky komunikim i Zotit, shtoi Papa, ofron një horizont të ri shprese dhe të vërtete për aspiratat njerëzore. Në anglisht, Ati i Shenjtë analizoi kushtet në të cilat punojnë radiot katolike në agim të Mijëvjeçarit të Tretë:
“Sot, megjithëse përdorni teknologjitë moderne të komunikimit, fjalët që transmetoni janë të përvujta e nganjëherë duket se humbin në mesin e konkurrencës së mas mediave të tjera, më të zhurmshme e më të fuqishme”. Megjithatë, i këshilloi Benedikti XVI gazetarët katolikë, nuk duhet të çkurajoheni, por të vazhdoni të mbillni farën e Fjalës, duke plotësuar urdhërimin ungjillor për shpalljen e Lajmit të Mirë të gjitha kombeve:
“Fjalët që transmetoni – kujtoi Papa Racinger – arrijnë tek shumë persona, disa prej të cilëve nuk shkojnë kurrë në kishë, sepse nuk besojnë, ose janë të feve të tjera”. Të tjerë, as që kanë dëgjuar të flitet për Jezu Krishtin, e pikërisht përmes radios, mbërrijnë edhe tek ata për herë të parë, fjalët e Shpëtimit. Është një punë që kërkon durim e që përfaqëson bashkëpunimin e radiove në misionin apostolik, përfaqëson në botë jehonën e atij rrjeti miqësie ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet njerëzve të të gjitha kontinenteve e epokave, krijuar nga prania e Krishtit të Ngjallur. E ja këshilla e Atit të Shenjtë:
“Duke ndihmuar çdo njeri t’ia hapë zemrën Krishtit, do të ndihmoni botën t’ia hapë dyert shpresës e t’ia hapë dykanatësh atij qytetërimi të së vërtetës e të dashurisë, që është fryti më i qartë i pranisë së Hyjit në mesin tonë”.
Nga ana e tij, kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, në fjalën drejtuar Atit të Shenjtë, kujtoi se radioja që në fillimet e saj ka gjetur përkrahjen e papëve si një mjet i pazëvendësueshëm ungjillëzimi e kulture:
“Vizita që Ju keni bërë në Radio Vatikan, në 75-vjetorin e themelimit, ka nënvizuar edhe më tej rolin e çmuar që luajnë emitentet radiofonike në kuadrin më të përgjithshëm të komunikimit”.
Imzot Çeli ripohoi impenjimin e dikasterit që drejton, në mënyrë që radiot katolike të ofrojnë gjithnjë e më shumë informacion në shërbim të personit.







All the contents on this site are copyrighted ©.