2008-06-19 18:47:08

Thirrje e re e Papës Benedikti XVI për paqen në Lindjen e Mesme


(19.06.2008 RV)RealAudioMP3 Thirrje e re e Papës Benedikti XVI për paqen në Lindjen e Mesme. Rasti ishte takimi me pjesëmarrësit e asamblesë së ROACO-s, organizmit që përmbledh Veprat e ndihmës për Kishat Katolike Lindore.
Papa ftoi gjithashtu, besimtarët e të gjithë botës të mbështesin bashkësitë katolike të Lindjes, shpirtërisht e materialisht, që të inkurajohen, pavarësisht nga vështirësitë në të cilat ndodhen, “për të jetuar plotësisht misterin e Kishës së vetme të Krishtit duke u qëndruar besnikë traditave të tyre shpirtërore”:
“Prandaj, iu bëj thirrje ta forconi këtë lidhje dashurie e bamirësie, sepse sipas këshillës të Apostullit të popujve, kush ka shumë të ndihmojë atë që ka nevojë, që të ketë barazi në vëllazëri”.
Benedikti XVI shprehu afërsinë e tij me bashkësitë e vogla katolike të Gjeorgjisë dhe të Armenisë, të impenjuara në rrugën e ekumenizmit, dhe shfaqi shqetësimin e tij të madh për vuajtjet e të krishterëve në Irak. Kujtoi me dhimbje të thellë vrasjen e kryeipeshkvit të Mosulit, i cili – siç tha Ati i Shenjtë – mori në krah kryqin e vet dhe ndoqi Zotin. “Me dëshminë e tij për të vërtetën, kontribuoi për të sjellë drejtësinë në vendin e tij të martirizuar e në të gjithë botën”.
Ndërkaq, Papa foli më kënaqësi për zhvillimet e fundit në Liban, i cili ka rigjetur rrugën e dialogut e të mirëkuptimit. Benedikti XVI kujtoi se të dielën do të lumnohet në Bejrut, meshtari kapuçin Zhak Gazir Hadad. “I prekur nga kryqi i Jezu Krishtit – nënvizoi Ati i Shenjtë – ky rregulltar u bë i afërmi i të sëmurëve dhe i të varfërve, duke thirrur një numër të madh vajzash e grash për t’i shërbyer atyre. Dëshmia e tij prektë sot zemrat e të rinjve të krishterë libanezë, që të mësojnë ç’do të thotë jetë ungjillore në shërbim të të varfërve e të vegjëlve, duke dëshmuar besnikërisht fenë katolike në botën arabe”.
Papa Racinger falenderoi veçanërisht të gjithë ata, që e kanë për zemër kauzën e Bashkësive të krishtera në Tokën e Shenjtë, jetësore për krejt Kishën, e shtoi:
“Ndaj me ta sprovat dhe shpresat e lutem me zjarr t’i vizitoj personalisht, siç lutem edhe që disa shenja paqeje, që i përshëndes me besim të madh, të gjejnë sa më shpejt plotësimin. U bëj thirrje përgjegjësve të Kombeve, që t’i ofrohet Lindjes së Mesme, e në veçanti Tokës së Jezusit, Libanit dhe Irakut paqja aq e dëshiruar dhe qëndrueshmëria shoqërore në respekt të të drejtave themelore të njeriut, që përfshijnë edhe lirinë e vërtetë fetare. Në fakt, paqja është rruga e vetme për të përballuar edhe problemin e madh të refugjatëve dhe për të frenuar emigracionin, veçanërisht atë të krishterë, që godet rëndë Kishat Lindore”.
Në përfundim, Benedikti XVI ia besoi të gjitha lutjet, ndërmjetësimit në qiell të të Lumit Gjoni XXIII, mik i sinqertë i Lindjes dhe Papë i Enciklikës “Pacem in Terris”.







All the contents on this site are copyrighted ©.