2008-06-19 18:50:24

Fillon në Vatikan seminari mbi “Politikën si formë ekzigjente e bamirësisë”: Në mikrofonin tonë kardinali Renato Rafaele Martino.


(19.06.2008 RV)Fillon nesër në Vatikan një Seminar ndërkombëtar dy ditor, organizuar nga Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, me temë: “Politika, formë ekzigjente e bamirësisë”. Do të marrin pjesë rreth 60 ekspertë, ndër politologë dhe personalitete të impenjuara në veprimtari shoqërore. Do të flitet për ideologji të forta e politika të dobta, për vlerat që nuk mund të negociohen dhe pluralizmin, për laicitetin e bioteknologjitë. Takimi do të përurohet nga kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i dikasterit përkatës vatikanas. Në mikrofonin tonë, kardinali shpjegon se pse është zgjedhur kjo temë:
Kemi zgjedhur të përdorim shprehjen e mirënjohur me të cilën Papa Pali VI pati përkufizuar politikën, për të nënvizuar, nga njëra anë, kuptimin e thellë të ushtrimit të politikës si shërbim ndaj njeriut, protagonist i bashkëjetesës së bazuar mbi miqësinë civile e vëllazërinë e, nga ana tjetër, vlerësimin dhe konsideratën e Kishës për ata që ia kushtojnë jetën atij shërbimi, duke marrë përsipër peshën e përgjegjësive që u takojnë.
Në kohën e sotme, politika është në krizë. Kjo duket edhe nga vlerësimet në shtyp për politikën e madje edhe Kisha nuk i ka kursyer kritikat për politikanët…
Në fakt, mund të themi se politikanët janë të parët që e vuajnë këtë krizë të politikës, e cila e ka zanafillën, siç nënvizon Ati i Shenjtë, në krizën e “arësyes politike”. Pra, në paaftësinë për ta parë si evidente të drejtën natyrore e, për pasojë, faktin që ekziston një arësye e përbashkët për të gjithë njerëzit, së paku në sistemet e mëdha themelore të vlerave. Që këtej, kërkesa, të cilën e ndjen veçanërisht edhe Kisha, për të përsëritur ekzistencën e vlerave të panegociueshme, pavarësisht nga pluralizmi kulturor që karakterizon kohët tona.
Një argument tjetër në program është ai i laicitetit…
Sigurisht, çështja e laicitetit është në bazë të çdo impenjimi shoqëroro-politik të të krishterit dhe e ka zanafillën në parimin e autonomisë së sanksionuar nga e vetmja shpallje e qartë e, si të thuash, “teorisë politike dhe shoqërore” shqiptuar nga Jezu Krishti për të zgjidhur problemin e tributit të derdhur për Çezarin. Prandaj, kemi të bëjmë me gjetjen e raportit të drejtë ndërmjet jetës fetare dhe botës, ndërmjet sferës fetare dhe sferës politike, sipas asaj që ka shkruar Ati i Shenjtë në enciklikën “Deus Caritas est”. Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit, Papa flet për dy sfera të ndara, por gjithnjë në marrëdhënie të ndërsjellta.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.