2008-06-19 18:50:49

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Edmund Kampioni, misionar për vendin e vet".


(19. 06. 2008 RV)RealAudioMP3 Në horizont duket bregdeti anglez. Është data 24 qershor e vitit 1580 e Edmund de Kampioni shikon dy shokët që ka pranë: Robert Persons e Ralf Emerson.
“Kush e di si do të na presin”, u thotë atyre, në sa fytyra e tij memzi e fsheh shqetësimin e brendshëm.
“Kam frikë se, duke qenë katolikë, nuk do të na presin aq mirë, sa do të dëshironim”, përgjigjet trishtueshëm Roberti. “Anglia i kundërvihet prej kohe papës...”.
Tre shokët zhyten në mendime. Kujtojnë ngjarjet që tronditën vendin e tyre vitet e fundit.
Gjithçka nisi në vitin 1553, kur mbreti Henriku VIII, i tërbuar nga që papa nuk i jipte lejën të ndahej nga gruaja e të rimartohej, vendosi të mos i bindej më Romës e të vepronte ashtu si i thoshte mendja. Pas tij, i biri, Eduardi VI, ia imponoi brutalisht reformën protestante mbarë Anglisë. Nisi, kështu, përleshja shumëvjeçare ndërmjet katolikëve e protestantëve, që la pas mijëra kufoma. Herë fitonte njëra palë e herë, tjetra. Kjo varej nga mbreti që ulej në fronin anglez, i cili mund të ishte përkrahës i njërës, ose i tjetrës palë. Kur shpërthente një valë e re persekutimi kundër katolikëve, Edmundi me shokë ikin nga vendi, për të vijuar përgatitjen e për t’u bërë meshtarë. Sot rikthehen në Angli: kjo është tokë e re misioni për Kishën katolike. Misioni i tyre është t’i rikthejnë anglezët në katolicizëm. .. e këtë duhet ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk e dinë sa kohë do të kenë në dispozicion, para se anglezët t’ua mbyllin gojën. Por e dinë mirë se kjo do të ndodhë pa tjetër. Edmundi është i bindur për këtë.Ai e di edhe se dhuna është krejt e kotë. Vendi ka derdhur shumë gjak në luftërat fetare e nuk do t’ia vinte veshin fare një misionari brutal. Jo. Këtu sjelljes brutale duhet t’ia zërë vendin dialogu. Vetëm kështu mund t’u përcillet njerëzve mesazhi i Kishës katolike. Ndonëse meshtari i ri e di mirë se do t’ia prishë rehatin shumkujt.
Një ditë Edmund Kampionin e arrestojnë. Është data 19 qershor e vitit 1581. Sapo është mbushur viti që ka shkelur në Angli.
Bëjnë çmos ta bindin të heqë dorë nga katolicizmi, duke i premtuar si shkëmbim, një post të rëndësishëm në Kishën anglikane. Por ata nuk e njohin! Edmundi u përgjigjet se të jesh papist, për të është krenaria më e madhe. E, duke shqiptuar këto fjalë, vulos dënimin e vet. Por atij nuk i bëhet vonë fare. .. Ky meshtar i ri e pranoi misionin që iu besua nga Kisha katolike; e dëshron ta pranojë deri në fund të fundit, deri në martirizim.
Dëshirë që i realizohet. Vritet më 1 dhjetor të të njëjtit vit.







All the contents on this site are copyrighted ©.