Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit: kështu tha Papa Benedikti
XVI në audiencën e përgjithshme, që ia kushtoi Shën Izidorit të Seviljes.
(18.06.2008 RV)Papa Benedikti XVI
ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme Shën Izidorit të Seviljes, ipeshkëv që
ka jetuar ndërmjet shekullit VI dhe VII. “Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit
dhe të veprimit”, këtë karakteristikë të shenjtit vuri në dukje Ati i Shenjtë, i cili
përshëndeti edhe Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, që po mbahet në Kebek të Kanadasë. Të
krishterët rrezikojnë të jenë njerëz me një përmasë të vetme. Një rrezik që e kishte
mirë parasysh shën Izidori, njeri i kulturuar e mik i mirë i Papës Gregori i Madh,
përkufizuar nga Benedikti XVI si “i fundmi i Etërve të krishterë të lashtësisë”. I
rritur mes librash, qe detyra e tij si ipeshkëv, përballë rrezikut të dyndjes së Vizigotëve
dhe të përhapjes së herezisë ariane, ajo që e bëri të reflektonte mbi jetën e krishterë
dhe të përshkruante se si duhet të jetë ajo, për të qenë e plotë: “Izidori
qe pa dyshim njeriu i kundërshtive dialektike të theksuara. Edhe në jetën e tij personale,
eksperimentoi një konflikt të vazhdueshëm të brendshëm, shumë i ngjashëm me atë që
pati ndjerë shën Gregori i Madh e shën Agustini, ndërmjet dëshirës për vetmi, për
t’iu kushtuar tërësisht meditimit të Fjalës së Zotit, dhe kërkesës së bamirësisë ndaj
vëllezërve, shpëtimin e të cilëve ndjente se e kishte për detyrë, si Ipeshkëv”. Por,
shpjegoi Papa, ipeshkvit seviljan iu desh të linte mënjanë preferencat për një jetë
në lutje. Madje, tregoi një “entuziazëm të qartë apostolik” dhe u lumturua kur mbreti
vizigot Ermenexhildo u kthye në krishterim, duke sjellë kështu bashkimin politik dhe
fetar në tokat e tij. Gjithsesi, Benedikti XVI shtoi: “Nuk duhet nënvlerësuar
vështirësia e jashtëzakonshme për të përballuar si duhet probleme mjaft të rënda si
marrëdhëniet me heretikët dhe me hebrenjtë. Një seri problemesh që duken shumë konkrete
edhe sot, sidomos nëse merret parasysh ç’ndodh në disa rajone, ku duket se riprodhohen
situata shumë të ngjashme me ato të gadishullit iberik në shekullin e gjashtë”. Reflektimet
e Shën Izidorit – që sipas Papës, përmbledhin dhe shprehin jetën e plotë të krishterë
– kanë qenë dhe janë edhe sot të çmueshme për të sqaruar marrëdhëniet ndërmjet jetës
kundruese dhe asaj aktive. Duke imituar Jezu Krishtin, i cili rrinte me turmat, por
tërhiqej në vetmi kur lutej, edhe ai që i shërben Zotit, shkruante shën Izidori, t’i
kushtohet kundrimit pa hequr dorë nga jeta aktive. Të sillemi ndryshe nuk do të ishte
e drejtë: “Si duhet ta duam Zotin përmes kundrimit, si duhet ta duam të afërmin
përmes veprimit… Mendoj se kjo është sinteza e një jete, që kërkon kundrimin e Zotit,
dialogun me Zotin në lutje e në leximin e Shkrimeve të Shenjta, por edhe veprimin
në shërbim të bashkësisë njerëzore e të të afërmit. Kjo sintezë është leksioni, që
ipeshkvi i madh i Seviljes na lë neve, të krishterëve të sotëm, të thirrur ta dëshmojmë
Krishtin në fillim të mijëvjeçarit të ri”. Benedikti XVI e përfundoi audiencën
e përgjithshme me një mendim për periudhën e verës, “kohë turizmi e shtegtimesh –
siç tha – kohë pushimesh”. Uroi të rinjtë të zënë me provimet e maturës e të universitetit,
që gjatë verës të bëjnë diçka të dobishme për shoqërinë e për pasurimin e tyre fetar. Së
fundi, Ati i Shenjtë iu drejtua pjesëmarrësve të Kongresit eukaristik ndërkombëtar,
që po zhvillohet në Kebek të Kanadasë. Ai, uroi Papa, të bëhet një rast për lutje,
reflektim e kundrim të misterit të Eukaristisë së shenjtë: “Të jetë gjithashtu
rasti i përshtatshëm për të ripohur fenë e Kishës në praninë e vërtetë të Krishtit
në Sakramentin e Shenjtë të Elterit. Të lutemi edhe që ky Kongres Eukaristik Ndërkombëtar
të ngjallë ndër besimtarët, jo vetëm të Kanadasë, por edhe të kombeve të tjera të
botës, vetëdijen mbi ato vlera ungjillore e shpirtërore, që kanë farkëtuar identitetin
e tyre përgjatë historisë”.