2008-06-17 19:26:10

Në Romë, Kongresi mbi Radiot Katolike për identitetin dhe misionin në botën e sotme


(17.06.2008 RV)Do të mbahet në Romë, nga 19 deri më 21 qershor, Kongresi për Radiot katolike, i organizuar nga Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore. Takimi, me temë “Identiteti dhe misioni i Radiove katolike sot. Nga mendimi mbi njeriun në një informacion në shërbim të personit”, do të mbahet në Universitetin Papnor Urbanian.
Pritet që të marrin pjesë rreth 60 emitente nga pesë kontinentet. Punimet do të përqëndrohen në tri tema të mëdha:
Së pari, identiteti dhe misioni i radiove katolike në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kishtare.
Së dyti, në asamblenë e përgjithshme e në grupe të vogla do të diskutohet mbi karakteristikat, që e identifikojnë një emitente katolike, pavarësisht nga konteksti, e do të shqyrtohen formatet dhe përmbajtjet e programeve të radiove katolike në varësi të publikut, që e ndjek atë dhe të gjendjes shoqëroro-ekonomike e culturale ku vepron. Do të flitet gjithashtu për praninë e emitenteve katolike në shoqërinë civile, për kontributin e tyre në të mirën e përbashkët dhe ndikimin në dialogun ekumenik e ndërfetar. Tema të rëndësishme në këtë pikë, janë edhe liria e shprehjes, mbajtja e një qëndrimi politik nga ana e radios katolike, detyrat e saj në rastet e tensionit apo të konflikteve etnike.
Së treti, do të analizohet e ardhmja e Radiove katolike, si përsa i përket transmetimit (valë, internet apo tjetër), ashtu edhe përsa i përket përgjegjësive para publikut, sidomos kur ai është në vështirësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.