2008-06-17 19:25:02

Delegacion i Selisë së Shenjtë kthehet nga vizita në Vietnamin komunist


(17.06.2008 RV)U kthye dje në Romë, delegacioni i Selisë së Shenjtë, që ishte për vizitë në Vitenam. Takimet me Zyrën Qeveritare për Punët Fetare, gjatë të cilave u fol hapur e çiltërsisht, bënë të mundur të diskutohej për aspekte të ndryshme të jetës së Kishës në vend, në veçanti, për emërimet ipeshkvnore, kthimin gradual të pronave, që i janë shtetëzuar Kishës, për zbatimin e normës së lirisë fetare, për kontributin e katolikëve në jetën e shoqërisë, në përhapjen e kulturës së solidaritetit ndaj më nevojtarëve e për edukimin moral të brezave të rinj.
Delegacioni i Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga Zv.sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Petro Parolin, nuk mungoi së ngrituri edhe çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për të cilat është formuar një grup pune, që duhet të fillojë punimet së shpejti. Veçanërisht mallëngjyese ishte vizita dhe Mesha në Shenjtëroren mariane të La Vangut. Delgacioni la aty një ostensor artistik, si homazh i Papës Benedikti XVI, dhe u lut sëbashku me besimtarët, që ai vend kaq i dashur për katolikët vitenamezë dhe i nderuar edhe nga jo katolikët, të bëhet sa më shpejt një qendër bashkimi dhe pajtimi për të gjithë banorët e Vietnamit, pa dallime etnike, feje e politike.
Kujtojmë se Vietnami qeveriset nga Partia Komuniste dhe vetëm tani po fillojnë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë. Edhe ato ecin përpara me hapa të kujdesshëm e të matur.







All the contents on this site are copyrighted ©.