2008-06-17 19:31:24

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Zbulimi i katakombeve, thesar i nëndheshëm".


(17.06.2008 RV)RealAudioMP3 Një qytet që fle nën dhe prej më se një mijë vjetësh...Grupi i vogël i zbuluesve ecën nëpër korridoret e ngushta, të errta. Jemi në vitin 1578 e sapo kanë bërë një zbulim me rëndësi të madhe nën rrugët e Romës. Njiheshin disa katakombe romake, galeri nëntokësore, ku të krishterët e parë varrosnin të vdekurit e tyre, por ishin varreza tepër të thjeshta, pa zbukurime. Zbulimi i sotëm është i papërfytyrueshëm. Pishtarët tymojnë në ajrin e lagshtë: ndriçojnë herë një pikturë të shkëlqyer, herë një sarkofag të çmuar, herë një enë të punuar me art. Gjithçka është çuditërisht e paprekur: zbuluesve u duket se janë kthyer mbrapa në kohë.
“Shiko, shiko, këto varre të ruajtuara mrekullisht mirë”.
“E këtë pëllumb të pikturuar, me një rrem ulliri në sqep...”.
“E këto mbishkrime mahnitëse... ç’duan të thonë, vallë?”.
Njëri nga zbuluesit afron pishtarin e nis të lexojë: “I urojnë njeriut të varrosur këtu, të gëzojë jetën e pasosur pranë Hyjit”.
Shtegtarët e çuditshëm të shtigjeve të nëndheshme shikojnë majtas e djathtas tejet të emcionuar.
“Është e qartë se këto galeri nuk janë thjeshtë varrezë. Kanë një pasuri të paçmuar zbukurimesh! Ku ta dish, ndoshta–ndoshta të krishterët jetonin këtu, kur persekutoheshin nga perandorët romakë…”.
Ky shtegtim, që filloi në vitin 1578, do të vijojë në shekuj. Shumë zbulues do të zbresin poshtë udhëve të Qytetit të Amshuar, ndërmjet të gjallëve e të vdekurve. Duke studiuar gjithë nëntokën e Romës, kërkuesit do të zbulojnë dhjetra galeri të nëndheshme, të ngjashme me katakombet e Prishilës, që u zbuluan të parat.
Por, kujt i shërbejnë? Thua të jenë rrëmuar vërtetë nga të krishterët?
Pak nga pak, duke studiuar galeritë në të gjithë shtrirjen e tyre, u gjetën edhe përgjigjet për këto pyetje jo të lehta.
Të krishterët nuk jetonin në katakombe, por shkonin atje për t’u lutur para varreve të martirëve, të mbytur nga romakët. Kishin një admirim të madh për martirët, e pikërisht për këtë arsye i zbukuronin varret me mozaikë, afreske e shkrime të shumta.Shumica e katakombeve ekzistonte edhe para se të përhapej krishtërimi: ishin gropa apo vende, ku romakët rrëmonin nën dhé e nxirrnin gurët që u nevojiteshin për ndërtimin e shtëpive. Pas disa shembjeve, gropat u braktisën. U rizbuluan, më vonë, nga të krishterët, që ua forcuan muret mbrojtëse. Donin t’i bënin katakombet shumë të forta, që t’i varrosnin këtu të vdekurit e tyre, pa frikë shembjesh të reja. Falë këtij përforcimi, katakombet u bënë ballë shekujve e mund t’i vizitojmë edhe sot e kësaj dite. E të provojmë emocionet e zbuluesve të vitit 1578, të cilëve iu duk se po ktheheshin mbrapa në kohë...







All the contents on this site are copyrighted ©.