2008-06-16 16:36:11

U hap Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar në Kebek të Kanadasë


(16.06.2008 RV)Në qytetin kanadez të Kebekut filloi Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar mbi temën: “Eukaristia, dhuratë e Zotit për jetën e botës”. Papa Benedikti XVI i përshendeti pjesëmarrësit me anë të një videomesazhi dhe dërgoi në emër të tij kardinalin Jozef Tomko, ish-presidentin e Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike ndërkombëtare. Kongresi, që filloi dje, është i 49-ti kushtuar Eukaristisë dhe përkon me 400-vjetorin e themelimit të Qytetit të Kebekut. I pari Kongres eukaristik është bërë në Lilë të Francës, në vitin 1881. Një grua, Emilì Tamizjè, qe iniciatorja, e inkurajuar edhe nga Papa Leoni XIII.
Dita e parë e këtij Kongresi, filluar me Meshën e Shenjtë të kremtuar nga kardinali Tomko, u karakterizua nga mbërritja e “Arkës së Besëlidhjes së Re”. Është fjala për një simbol shpirtëror, shtegtimi i të cilit ka filluar më 11 majin e dy viteve më parë në Romë, me bekimin e Papës. Që atëherë, Arka ka kaluar nëpër mëse 70 dioqeza kanadeze për të sensibilizuar besimtarët mbi temat kryesore të Kongresit. Janë hapur edhe shumë vende lutjeje, ku bëhet adhurimi i Eukaristisë. Një iniciativë, që i përgjigjet dëshirës së Atit të Shenjtë, shprehur që në fillim të papnisë:
“Sa nevojë ka njerëzimi i sotëm të rizbulojë Sakramentin eukaristik, burimin e shpresës së vet! Falenderoj Zotin që shumë famulli, krahas kremtimit të përkushtuar të Meshës Shenjte, i edukojnë besimtarët edhe me Adhurinimin e Eukaristisë. Uroj, që duke pasur parasysh Kongresin e ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, kjo praktikë të përhapet gjithnjë e më tepër”.
Të enjten më 19 qershor, një nga çastet më të bukura të Kongresit, me procesionin eukaristik nëpër rrugët e Kebekut, në të cilin do të marrin pjesë rreth 15 mijë vetë. Të nesërmen, do të paraqitet “Fondacioni Kardinal Mark Uelet”, vepër shoqërore e lidhur me Kongresin Eukaristik, që ndihmon emigrantët dhe refugjatët e zonës së Kebekut. Të dielën, më 22 qershor, Kongresi do të përfundojë me një Meshë të Shenjtë, homelinë e së cilës do ta mbajë Papa Benedikti XVI, i lidhur me Kanadanë përmes satelitit.







All the contents on this site are copyrighted ©.