Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: popujt nuk duhet të jenë indiferentë kur bëhet
fjalë për sigurimin e paqes në botë.
(16.06.2008 RV)Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar menjëherë
pas Meshës në Brindizi, shoqëruar me duartrokitje të vazhdueshme, Benedikti XVI i
falënderoi përzemërsisht besimtarët për impenjimin në organizmin me sukses të kësaj
vizite, që i krijoi mundësitë të kthehej për herë të dytë në Pulie. Në se gjatë homelisë
së Meshës vuri theksin tek mëshira e krishterë, sinonime me solidaritetin dhe me
ndarjen e përbashkët të të mirave, në Engjëllin e Tënzot, duke i hapur fjalëve të
tij horizont botëror, në përkim me fjalimin e mbajtur në OKB prillin e kaluar, Papa
dënoi indiferencën ndërkombëtare. Ati i Shenjtë shpjegoi se pikërisht ky qëndrim indiferent
i pengon nganjëherë shtetet për t’i parandaluar konfliktet ose për të gjetur rrugë
diplomatike të përshtatshme në zgjidhjen e tyre. Veprimtaria e bashkësisë ndërkombëtare
– shpjegoi Benedikti XVI - duke pasur parasysh respektimin e parimeve bazë të rendit
ndërkombëtar, nuk duhet intrepretuar kurrë si imponim i padëshiruar ose si kufizim
i sovranitetit. Përkundrazi, janë indiferenca e mosndërhyrja ato që sjellin dëm real.
Ndjehet fort – nënvizoi Ati i Shenjtë - nevoja të kërkohen mënyra të reja për të parandaluar
e për të kontrolluar konfliktet, duke zbuluar çdo rrugë të mundshme diplomatike, duke
i kushtuar vëmendje të posaçme e duke inkurajuar edhe shenjat më të zbehta të dëshirës
për dialog e pajtim. Pasi theksoi këtë detyrë që u përket të gjitha kombeve mbi
tokë, Papa i lartoi sytë nga qielli e, prej këtyre trojeve të Evropës, iu lut Zojës
së Bekuar ta shpëtojë çdo njeri e mbarë njerëzimin: “Kujdesi i saj amëtar e
ndihmoftë qytetin e krahinën tuaj, Italinë, Evropën e mbarë botën nga stuhitë që
kërcënojnë fenë dhe vlerat e vërteta; u krijoftë breznive të reja mundësitë të dalin
në det të hapur pa frikë, për ta përballuar shtegtimin e jetës me shpresën e krishterë.
Mari, Porti i shëlbimit, lutu për ne!”. Një grumbull pëllumbash, që u lëshuan
fluturim, i mbarti simbolikisht mbi flatra, fjalët e Atit të Shenjtë nga porti, në
qytetin i cili, njëmijë vjet pas vizitës së papës së fundit, do ta ruajë gjatë kujtimin
e këtij shtegtimi papnor përmes seminarit dioqezan, pagëzuar me emrin e Benediktit
XVI.