Prishtina në festë: hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Me ne, Imzot Dodë Gjergji.
(15.06.2008 RV)Katër muaj pasi
autoritetet e Prishtinës shpallën pavarësinë nga Beogradi e pavarësisht nga kundërshtimet
e palës serbe, sot hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Teksti, me 41 ligje, hartuar
duke u mbështetur në ‘Paketën Ahtisari’ dhe miratuar njëzëri nga parlamenti kosovar
më 9 prillin e kaluar, u nënshkrua nga presidenti Fatmir Sejdiu. Është hera e parë
që një president kosovar vë firmën mbi akte ligjore, deri tani të nënshkruara nga
kreu i UNMIK-ut, organizëm i OKB-së, që administron Kosovën qysh nga viti 1999 e
që tani përgatitet t’ia dorëzojë detyrën një misioni të Bashkimit Evropian. E
sonte Prishtina ishte në festë. Natyrisht në këtë atmosferë festive ka pjesën e
vet edhe Kisha katolike, që vijon prej kohe përpjekjet për njohjen e plotë të pavarësisë
së vendit. Mjafton të kujtojmë se të enjten e kaluar ipeshkvi i Kosovës, imzot
Dodë Gjergji, u takua në Vatikan, me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së tij,
kardinalinTarçizio Bertone dhe me personalitete të tjera. Por, ta dëgjojmë vetë Prelatin: E pikërisht sonte
Misioni i OKB-së, Unmik, duhet t’ia dorëzonte detyrën misionit civil Eulex, miratuar
më 16 shkurtin e kaluar nga Bashkimi Evropian. Misioni i ri, i paraqitur nga sekretari
i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shkaktoi reagime shumë negative si nga ana
kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe. Mbi situatën rëndojnë edhe përçarjet në Këshillin
e Sigurimit të OKB-së, që nuk është shprehur akoma në favor të pavarësisë, për shkak
të kundërshtimeve të Kinës e të Rusisë. Por as Evropa nuk ka gjetur akoma një vijë
të përbashkët, përderisa Spanja, Greqia, Qipro e Rumania e shikojnë njohjen zyrtare
si rrezik serioz për stabilitetin brendshëm të vende të tyre.