2008-06-15 18:02:28

Benedikti XVI të rinjve të Brindizit: ‘Mos t’ju lëshojë zemra përballë vështirësive, por besoni në Krishtin, duke u përpjekur ta kuptoni e ta doni Kishën’.


(15.06.2008 RV)Papa arriti mbrëmë në Brindizi, pas Meshës së kremtuar në Shën Marinë e Leukës. I pritur nga një turmë në festë, u takua me banorët e qytetit e, posaçërisht, me të rinjtë, në Sheshin Lenio Flako.
I ndërprerë vazhdimisht nga duartrokitjet e stuhishme të njerëzve thellësisht të emocioniuar, Papa e quajti Brindizin ‘portë e hapur mbi det’, duke e vlerësuar lart shpirtin mikpritës të kësaj popullsie, posaçërisht gjatë krizës ballkanike, që i shtyu shumë refugjatë të zbarkonin në këto troje, duke lënë pas vatrat në flakë, në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni. Fjalët e Papës, duke të kthyer pas në vite, të ngjallin në kujtesë pamjet dramatike të anijeve të mbingarkuara me shqiptarë të të gjitha moshave, që niseshin nga sytë këmbët drejt brigjeve të panjohura e njerëzve të panjohur, në kërkim të lirisë së pashijuar e të jetës së pajetuar për më se gjysëm shekulli. Këtu zbarkoi ‘gjaku i shprishur i arbërit’, këtu gjeti mikpritje e mirëkuptim. E, për fat të keq, faqja e fundit e historisë me varka, zbarkime e refugjatë nuk është shkruar akoma. Prandaj Papa u shpreh kështu:
“Më duket se e kam për detyrë të kujtoj me mirënjohje përpjekjet që u bënë e vijojnë të bëhen nga administrata civile e ushtarake, në bashkëpunim me Kishën e Organizatat e ndryshme humanitare, për t’u dhënë atyre strehë e ndihmë, pa marrë parasysh vështirësitë ekonomike, që vijojnë ta shqetësojnë zonën tuaj. Bujar ka qenë e vijon të jetë qytetit juaj”.
Në vijim Papa i ftoi brindizianët të mbrojnë jetën e familjen, ndërsa të rinjtë i porositi:
“Ruhuni nga rrjetat e së keqes! Kërkoni një jetë të pasur me vlera, për të ndërtuar kështu një shoqëri më të drejtë, që e shikon me guxim të ardhmen. Shfrytëzojini dhuratat me të cilat ju pajisi Hyji: forcën, zgjuarsinë, guximin, entuziazmin dhe dëshirën për të jetuar. Pikërisht duke u nisur nga këto vlera, e duke u mbështeur gjithnjë në ndihmën hyjnore, ju mund të ngjallni shpresa të mëdha në shpirtin tuaj e rreth jush. Varet nga ju e nga zemra juaj që progresi të vihet në shërbim të së mirës së përgjithshme. E rruga e së mirës – ju e dini – ka një emër: quhet dashuri”.
Dashuria është çelësi i shpresës, sepse i ka rrënjët në Hyjin… e dashuria e Hyjit ka fytyrën e ëmbël e të mëshirshme të Jezu Krishtit. E kjo është edhe zemra e gjithë mesazhit të krishterë:
“Krishti është përgjigja e të gjitha pyetjeve dhe problemeve tuaja. Por nuk duhet harruar se Ai është kërkues: pret shumë nga ju. Ndiqeni besnikërisht e, që ta takoni, kërkoni ta njihni Kishën, ta kuptoni, ta doni”. Ju jeni fytyra e re e Kishës: mos t’i mungojë, prandaj, kontributi juaj, në misionin e saj të madh, për ta përhapur Ungjillin në të katër anët e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.