2008-06-14 18:13:46

Shenjtorët e javës


(14.06.2008 RV)Nesër është e diela XI e vitit kishtar. Në këtë ditë kremtohen ndër të tjerë, shën Vito martir, shën Bernardi nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermana Kuzin, virgjër. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të hënën, më 16 qershor, kujtohen shën Kuiriku dhe shën Gjulieta, martirë. Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të martën e javës së ardhshme festojmë shenjtorët Biaxho dhe Diogjeni, të dy martirë. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.

Më 18 qershor, ditën e mërkurë, kremtohen shenjtorët Marku e Marceliani, martirë romakë. E fortë është zemra e të drejtit, që shpreson në Zotin.

Të enjten, kalendari i Kishës përkujton shën Romualdin, abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazo e Protazo, martirë milanezë. Qielli shpall drejtësinë e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.

Të premten më 20 qershor, bie festa e shën Silverit papë e martir. Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e Qiellit.

Të shtunën, Kisha Katolike kujton shën Luigj Gonzagën, jezuit, Pajtor i rinisë katolike. Jezu Krishti, nga i pasur u bë i varfër, për të na pasuruar ne me varfërinë e tij.

Të dielën e ardhshme është e diela XII e vitit kishtar. Shpirti i së vërtetës do të dëshmojë për mua, thotë Zoti, e edhe ju jepni dëshmi.







All the contents on this site are copyrighted ©.